Një person është vrarë dhe katër të tjerë kanë plagosur në zonat përreth Tel Avivit pas kundërpërgjigjes së Iranit që shënjestroi Izraelin qendror dhe jugor, transmeton Anadolu.
Shërbimi i emergjencës Magen David Adom raportoi se një person u vra në zonën Gush Dan, e njohur si Tel Avivi i Madh.
Në një deklaratë thuhet se fragmente raketash dhe copëza nga një raketë iraniane goditën disa zona brenda dhe rreth Tel Avivit, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit u dërguan në Tel Aviv, Ramat Gan dhe Givatayim.
U shtua se dy persona u plagosën në Izraelin qendror, ndërsa dy të tjerë, të plagosur rëndë në Beersheba, u transferuan në spitalin Soroka.
Transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se fragmente raketash dhe copëza goditën 10 lokacione të ndryshme rreth Tel Avivit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Ushtria izraelite tha se ka zbuluar lëshime raketash nga Irani dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore po përpiqeshin t’i interceptonin ato, ndërsa sulmet e njëpasnjëshme u kryen brenda më pak se gjysmë ore, fillimisht duke shënjestruar Izraelin jugor dhe më pas zonat qendrore.
Kundërpërgjigjja erdhi pas kërcënimeve nga Irani për t’iu përgjigjur sulmeve SHBA-Izrael ndaj objekteve të çelikut në Isfahan dhe Khuzestan, si dhe kompleksit të ujit Hendab në Arak.
Sirenat ranë fillimisht në rajonin Negev në jug të Izraelit dhe më pas në zonat qendrore, përfshirë Tel Avivin, si dhe në Kudsin Lindor të pushtuar dhe në Bregun Perëndimor.
Ushtria izraelite tha se ekipet e kërkim-shpëtimit u vendosën në zonat ku ranë fragmentet e raketave.
Rreth dy orë pas sulmeve fillestare, Irani shënjestroi sërish Izraelin jugor.
Magen David Adom më vonë tha se nuk u raportuan goditje apo të lënduar në sulmin e fundit, gjatë të cilit sirenat ranë nga Bregu Perëndimor i pushtuar deri në kufirin me Gazën, duke shtuar se përditësime do të jepen nëse është e nevojshme.
Teherani është kundërpërgjigjur me valë sulmesh me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe në aviacion.
