Familja është qeliza bazë e shoqërisë, është shteti në miniaturë. Një familje e shëndoshë është një e ardhme e sigurt e vendit. Familja gjithmonë do të mbetet kopshti i parë dhe më i rëndësishëm i edukimit dhe formimit. Antropologia dhe studiuesja amerikane Margaret Mead, thotë; nuk njohim mënyrë më të mirë, në të cilën formohen qeniet njerëzore, përveç edukimit në familje. Si rregull thuhet se, njeriu lind, rritet, jeton dhe vdes në familje. Ajo është shtrati i kujtimeve, mendimeve, formimit, besimit, patriotizmit, gëzimit, shqetësimit, mërzitjes, pikëllimit, dështimit, suksesit, mbështetjes dhe jetesës sonë. Familja është streha edhe e atyre që janë kundër familjes. Ngushëllimi dhe mëshirimi i tyre prapë është te familja.
Familja nuk është vetëm e drejt individuale ajo është kategori sociale dhe institucion juridik. Sipas legjislacionit për familjen në vendin tonë, familja përkufizohet si: bashkësi vitale e prindërve dhe fëmijëve të tyre si dhe personave të tjerë në gjini. Familja është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe si e tillë gëzon të drejtën në mbrojtje. Ndërsa Deklarata Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara, e vitit 1948, në paragrafin 3 të nenit 16 përcakton se:”Familja është njësi e natyrshme dhe thelbësore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti.” Familja si bërthamë e shoqërisë në jetën shoqërore ka një ndikim të thellë në jetën e përditshme. “Në të vërtetë mund të thuhet se familja është bërthama e shoqërisë, krijuese e civilizimeve, transmetuese e trashëgimisë dhe e shoqërisë ku kanë lidhje të veçantë me familjen. Familja është njësia shoqërore pjesëtarët e së cilës kanë prejardhje të njëjtë gjaku nga lidhja martesore ose birësimi”.
Studimi i familjes paraqet rëndësi edhe për sociologjinë dhe antropologjinë. Sociologjia dhe antropologjia, familjen e konsiderojnë si funksion thelbësor të reproduktimit biologjik, shoqëror ose të dyja bashkë. Nga pikëpamja e fëmijëve funksionet e familjes janë drejtuese; ajo shërben për t’i orientuar ata në shoqëri dhe kulturë. Ndërsa nga perspektiva e prindërve, familja shërben si mjet i shumimit, edukimit dhe shoqërimit të fëmijëve. Ndërsa antropologjia përmend tre lloje të familjes; matrifokale – amësore, konsaguinile – gjakëlidhëse dhe konjugale – bashkëshortore.
Përveç aspekteve teorike dhe shkencore, familja praktikisht është kategoria më e ndjeshme shoqërore, sociale dhe juridike e një shteti dhe populli. Jennifer Marshall nga Fondacioni Heritage në SHBA thotë se, forca e një shoqërie varet nga forca e familjes. Ndërsa forca e familjes varet nga forca e martesës. Madje politikanë e intelektualë të ndryshëm pro familjes në SHBA e përdorin një slogan shumë përmbajtësor se, liria dhe begatia e Amerikës varet nga forca e familjes.
Familja edhe përkundër ndryshimeve dhe dinamikave që i imponohen, funksionet bazë të saj janë dhe duhet të mbesin të pa ndryshueshme. Dikur ishte familja e gjerë e sot është familja atomike apo natyrore ku përbëhet nga prindërit dhe fëmijët por funksionet bazë të tyre janë të pandryshueshme. Familja mund të jetë bërthamore apo e gjerë, por është e rëndësishme që funksionet e saj dhe raporti i mirë dhe i shëndosh që duhet ndërtuar midis anëtarëve të familjes, duhet ruajtur. Respekti dhe dashuria duhet të jetë mbizotëruese në çdo familje. Themeli i këtij raporti të shëndosh është respekti ndaj të rriturve dhe mëshira ndaj gjeneratave të reja. Duke ndërtuar raporte të tilla edukimi dhe besimi, familjet tona do të shndërrohen në kopshte drite e shprese për të ardhmen e vendit tonë.
Familja mbetet jetike dhe e rëndësishme për çdo vend dhe shoqëri. Edhe vendet më të zhvilluara që kanë institucione të qëndrueshme për dekada e ndoshta edhe shekuj e kanë preokupim dhe shqetësim të ardhmen e familjes. Megjithatë, shtetet sikur se SHBA apo shtetet e zhvilluara të Bashkësisë Evropiane për shkak të stabilitetit ekonomik, social e institucional edhe mund të jenë më të hapura ndaj politikave liberale që e cenojnë familjen por shtetet në ngritje e sipër sikur se vendi ynë duhet të jetën tepër të kujdesshme.
Familja te shqiptarët në përgjithësi e në veçanti në Kosovë, ka qenë celula bazë e ngritjes sonë kombëtare, intelektuale, patriotike dhe fetare. Madje, familja ka qenë edhe çerdhe e mësimit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe për dekada me radhë. Kosova që nga viti 1912 ka rënë në pushtimin e egër dhe gjenocidial serb e cila i ka rrënuar edhe ato pak institucionet të trashëguara si vilajet, i ka dëbuar qindra mijëra shqiptarë nga këto troje dhe ka synuar ta zhbëjë çdo vlerë të trashëguar më parë. Në këtë luftë sistematike midis shqiptarëve dhe serbëve familja ishte ajo e cila e ruante besimin në Zot, dashurinë ndaj atdheut dhe motivin për liri.
Luftërat e organizuara në Kosovë herë pas here midis shqiptarëve dhe serbëve, organizoheshin nga familjet e mëdha dhe patriotike të vendit tonë. Madje edhe lufta e fundit u nis dhe u organizua nga familje të njohura për patriotizëm, për numër të madh të anëtarëve dhe të guximshme për tu përballur me armikun serb. Është familja ajo që për një shekull e ruajti dhe e kultivoi motivin për luftë, sakrificë, liri dhe çlirim nga Serbia, pa marrë parasysh pasojat dhe vuajtjet.
Familja, jo vetëm që ishte kultivuese dhe mburojë e vlerave kombëtare në mungesë të institucioneve por ajo ishte edhe mburojë e Besimit në Zotin e Madhërishëm. Sllavizmi dhe komunizmi në Kosovë, ky i fundit edhe në Shqipëri, nisi rrënimin sistematik të vlerave të trashëguara të Besimit në Zotin e Madhërishëm. Familja ishte ajo e cila e ruajti Besimin, namazin e agjërimin, përderisa në jetën private dhe publike, shkolla dhe institucione ndalohej agjërimi, falja, shamia dhe feja në përgjithësi. Në Shqipëri gjatë komunizmit të egër, në luftën kundër fesë, familja ishte ajo e cila e ruajti Besimin, i cili u shpërfaq dhe gufoi direkt pas rënies së komunizmit. “Lufta e bërë deri në 1967-n kishte një karakter të fortë kulturor, ideologjik. U luftuan zakonet, traditat, mënyra e të jetuarit. Veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare të fund shekullit të IX dhe fillim shekullit XX do t’u theksohej aktiviteti i tyre shoqëror, por do t’u lihej në hije, e panjohur, jeta e tyre fetare. Emancipimi i gruas, shpërbërja e familjes së madhe, ndryshimi i mënyrës së jetës, kishin tone të forta anti-fetare, në emër të përparimit”. Janë rrëqethëse tregimet e shqiptarëve të Shqipërisë kur tregojnë se si i kanë mësuar natën, në heshtje dhe fshehurazi mësimet bazike fetare në familje se si ti luten Zotit, si të besojnë apo si ta përgatisin varrimin e të vdekurve në pajtim me mësimet fetare, por pa u diktuar se po kryejnë ceremonitë fetare.
Familja në kontekstin fetar e ka luajtur edhe një rol shumë të rëndësishëm, atë të kultivimit dhe raporteve të mira midis familjeve të besimeve të ndryshme, midis myslimanëve dhe të krishterëve. Familjet e besimeve të ndryshme i kanë ruajtur raportet e mira me njëra-tjetrën, kanë hy e kanë dal me njëra tjetrën, i kanë respektuar festat e njëri tjetrit dhe kanë qenë mbështetje për njëra-tjetrën. Bashkëjetesa midis feve të ndryshme te shqiptarët është e përshkruar dhe e përmbledhur nga autor të huaj e vendor, gjë që na bënë krenar si komb. “Ajo që ka rëndësi këtu për bashkëjetesën shoqërore të krishterëve dhe myslimanëve, nuk është ekzistenca e dy besimeve në qytete apo zona të vendit, por bashkëjetesa e ngushtë e njerëzve që jetojnë në një familjaritet të tillë shoqëror, saqë nuk mund të shmangnin eksperiencat, e në njëfarë mënyre ndarjen midis tyre të ritualeve ose praktikave fetare të besimit. Trajta më e zhvilluar që mori kjo, ishte bashkëjetesa e feve brenda së njëjtës familje”. N. Malcolm po ashtu e sjell edhe një shembull tjetër të kësaj natyre kur misioni bashkëkohor françeskan në veri të Shqipërisë filloi në vitet 1630 dhe në vitin 1637, një nga anëtarët e tij, Fra Cherubino, shkoi në Kosovë, në një fshat jashtë Gjakovës, ai dhe shoqëruesi i tij u pritën me fjalët: Ejani etër në shtëpinë tonë, ne kemi katolicizëm, islam dhe ortodoksi.
Në prizmin e sfidave me të cilat është ballafaquar dhe vazhdon të ballafaqohet familja ka qenë edhe organizimi klasik, tranzicioni dhe organizimi modern. Koncepti politik konservator në të cilin besoj që ndërtohet mbi përzgjedhjen dhe ruajtjen e vlerave të familjes, e bënë me kujdes trajtimin e çështjeve dhe vlerave në të cilat është ndërtuar familja shqiptare. Dikur familja dhe shoqëria shqiptare kryesisht bazohej në mësime dhe zbatime sa më të përpikta të traditës, kulturës dhe fesë që të jemi si të tjerët, si të parët tanë, që t’iu përmbahemi rregullave që janë krijuar me shekuj. Sot më nuk është e mundur e as nuk duhet të jetohet mbi premisat e patriarkalizmit kanunor. Por krahas rrënimit të familjes patriarkale as familja bërthamore nuk është ndërtuar sa dhe si duhet, si rezultat i sfidave me të cilat po ballafaqohet.
Fjala e mirë, raportet e fuqishme midis anëtarëve të familjes, mbështetja reciproke, respektimi i të rriturve, kujdesi ndaj fëmijëve, kanë qenë disa prej shtyllave mbi të cilat është ndërtuar familja e gjerë te ne. Koncepti i familjes së gjerë, në mungesë të shtetit dhe në mungesë të besimit në pushtetet e imponuara, problemet dhe mos pajtimet i ka zgjedhur nëpër oda në kuadër të traditave tona. Familja ka pasur vështirësi të mëdha për arsimim por prapë se prapë janë munduar të organizojnë forma alternative të arsimimit. Thjeshtë, familja është munduar ta zëvendësoj shtetin, prandaj kush do që flet në konotacion negativ për familjen shqiptare shpërfaq injorancën e vet për rrethanat në të cilat ka kaluar familja jonë.
Në interes të këtij libri është edhe shpërfaqja e sfidave dhe kolezionit të vlerave që i ka pasur familja shqiptare gjatë dekadave për çka është e rëndësishme të hulumtohen të drejtat nëpër të cilat ka kaluar organizimi i familjes shqiptare.
Pjesë nga libri “Kauza për Familjen” fq. 8.
Abdullah Klinaku
