Ballina Artikuj Kur “elita” fetare nuk mban më peshë shoqërore…!

Kur “elita” fetare nuk mban më peshë shoqërore…!

Hoxhë Vladimir Kera

Ky shkrim lind nga një shqetësim mbi mënyrën se si diskursi fetar dhe veçanërisht Kurani është zhvendosur nga roli i tij si bosht i gjallë moral e shoqëror në një hapësirë të ngushtuar interpretimi, gjithnjë e më e shkëputur nga realiteti publik. Ky shqetësim lidhet edhe me faktin themelor se Kurani nuk iu besua një rrethi të mbyllur autoritetesh, por një shoqërie të tërë që thirret në mendim, reflektim dhe përgjegjësi veprimi.
Në këtë kuptim, autoriteti fetar sot përballet me tri kriza themelore.
Së pari: kriza e dijes.
Një pjesë e diskursit fetar nuk arrin të artikulojë përgjigje të qëndrueshme ndaj sfidave të kohës: marrëdhënies mes fesë dhe arsyes, shtetit, etikës, shkencës, traditës dhe ndryshimit. Predikimi shpesh mbetet në nivel moralizues dhe ritual, duke munguar thellësia hermeneutike dhe analiza kritike e tekstit dhe realitetit.
Së dyti: kriza e organizimit.
Edhe aty ku ekziston dije, shpesh mungojnë kushtet institucionale për zhvillimin e saj. Mungesa e infrastrukturës akademike dhe kërkimore e ka izoluar mendimin fetar nga botimi, debati dhe prodhimi i vazhdueshëm intelektual. Në traditën islame klasike, dija ka qenë gjithmonë projekt kolektiv dhe institucional, jo thjesht përpjekje individuale.
Së treti: kriza e pavarësisë.
Varësia nga modele të jashtme ose struktura të importuara ka kontribuar në shkëputjen e diskursit fetar nga konteksti lokal. Në momentin që mendimi humbet filtrin kritik dhe aftësinë për të lexuar realitetin e vet, ai rrezikon të shndërrohet në ideologji, duke humbur funksionin e tij udhëzues dhe gjallërues.
Paralelisht, vërehet një asimetri e qartë midis elitave brenda fushës fetare.
Elita ekonomike është forcuar materialisht, por kjo nuk është shoqëruar domosdoshmërisht me zhvillim të vizionit intelektual apo institucional. Kontributi shpesh mbetet i kufizuar në forma bamirësie të shpërndara, pa investim afatgjatë në dije, kulturë dhe ndërtim institucionesh. Në traditën islame, pasuria ka pasur funksion qytetërues pikërisht kur është kanalizuar në prodhim dijeje dhe struktura shoqërore.
Nga ana tjetër, elita e mendimit mbetet e fragmentuar, pa institucione të qëndrueshme kërkimore, pa media serioze intelektuale dhe pa mekanizma të konsoliduar debati. Në mungesë të organizimit, mendimi mbetet i shpërndarë; në mungesë të institucioneve, idetë nuk arrijnë të institucionalizohen dhe të prodhojnë ndikim shoqëror.
Në këtë kontekst merr kuptim edhe paralajmërimi profetik për një kohë kur numri i besimtarëve është i madh, por pesha e tyre shoqërore dhe intelektuale e dobët. Problemi qendror nuk qëndron në sasinë e praktikuesve fetarë, por në cilësinë e vetëdijes, dijes, guximit intelektual dhe vizionit transformues.
Kur feja reduktohet në ritual apo në identitet kulturor, ajo humbet dimensionin e saj transformues. Kur Kurani lexohet vetëm si tekst ceremonial dhe jo si projekt etik, shoqëror dhe intelektual, ai humbet funksionin e tij udhërrëfyes.
Prandaj, rikthimi serioz i Kuranit në jetën shoqërore kërkon: riqendërzimin e dijes si themel, çlirimin e mendimit nga çdo monopol interpretimi dhe ndërtimin e institucioneve që e shndërrojnë besimin nga simbol statik në forcë të gjallë qytetëruese.

Hoxhë Vladimir Kera

Exit mobile version