Ballina Autorë Opinione Kur fitorja në fushë bëhet mësim për shtetin

Kur fitorja në fushë bëhet mësim për shtetin

Hoxhë Rejhan Neziri

Mbrëmë, ekipi i futbollit të Kosovës tregoi më shumë sesa një fitore — tregoi karakter. Në Bratisllavë, përballë ekipit sllovak, djemtë tanë nuk fituan vetëm me rezultat, por me pjekuri, me disiplinë dhe me një frymë të admirueshme bashkëpunimi. Çdo pasim, çdo lëvizje, çdo reagim në fushë ishte dëshmi e një ekipi që e kupton se suksesi nuk ndërtohet mbi ego individuale, por mbi besim të ndërsjellë dhe koordinim të përbashkët.
Sepse, le ta themi hapur: sikur secili lojtar të kishte luajtur kokë më vete, i shtyrë nga inati apo dëshira për protagonizëm personal, ajo fitore nuk do të ishte e mundshme. Fitorja erdhi sepse ata luajtën si një trup i vetëm — me mendje të kthjellët dhe me zemër të përbashkët.
Sa shumë do të dëshiroja që ky shembull të mos mbetej vetëm brenda fushës së gjelbër…
Do të dëshiroja që edhe politikanët e Kosovës ta reflektojnë këtë pjekuri dhe këtë ndjenjë përgjegjësie në drejtimin e shtetit ende të brishtë. Sepse Kosova nuk është një arenë për ego personale, as një vend për inate të vogla e të ulëta. Është amanet.
Amanet i atyre që ranë për liri. Amanet i veteranëve që sakrifikuan gjithçka. Amanet i grave që mbetën të veja dhe i fëmijëve që u rritën jetimë. Amanet i nënave që ende jetojnë me plagën më të rëndë — pa e ditur ku prehen eshtrat e bijve të tyre…
Çdo vendim i papjekur, çdo përçarje e panevojshme, çdo veprim i udhëhequr nga inati apo interesi i ngushtë personal apo grupor, sado i vogël të duket, është një goditje ndaj vetë themeleve të shtetit. Dhe më e dhimbshmja: çdo gabim i tillë bëhet ushqim për ata që gjithmonë kanë dashur ta shohin Kosovën të dobët — kasapët e kombit tonë.
Prandaj, mësoni nga ata djem në fushë.
Mësoni se si fitohet duke qenë bashkë.
Mësoni se si nderohet flamuri — jo me fjalë, por me vepra.
Mos punoni për ta merituar mallkimin e popullit… Punoni që t‘i fitoni uratat e tij.

Hoxhë Rejhan Neziri

Exit mobile version