Ballina Autorë Opinione Kur të sulmon e ardhmja

Kur të sulmon e ardhmja

Redi Shehu

Që nga fundi i majit të këtij viti, Shqipëria ka hyrë në një etapë të re sociopolitike. Duket se përfundimisht brezi i ri i saj ka vendosur që atdheu i tyre të pushojë njëherë e mirë së pluskuari në antikohën e vet. Në atë gjendje sociale ku, edhe pse kronologjikisht ajo ecën përpara, shoqëria lëviz në kahun e kundërt të së drejtës, ligjit dhe ndërgjegjes morale. Ndryshe nga brezi më i vjetër, i rritur në tranzicion, ku nonsensi dhe kaosi shiheshin si rrugë që medoemos duheshin përshkuar drejt zhvillimit, rinia e këtij vendi vjen me një botëkuptim të ri. Ata nuk e pranojnë këtë gjendje, këtë gjallim në krahun e kundërt të kohës, ku anormalja moralisht shitej si normalitet, si vlerë. Për këtë është i domosdoshëm ndërrimi i regjistrit politik shqiptar drejt një të menduari dhe vepruari posttranzicional, drejt një gjendjeje ku trekëndëshit korrupsionpadrejtësi–kriminalitet i duhej dhënë fund njëherë e mirë. Vetëm nëse e shohim në këtë këndvështrim, atëherë do të marrë sens aftësia e tyre për të këmbëngulur kaq gjatë.

Ajo që po ndodh është se ky brez i ri studentësh dhe të rinjsh, të rritur dhe të formuar brenda këtij trekëndëshi deformues të krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë, po proteston fuqishëm duke sulmuar jo vetëm sistemin, por edhe arkitektin e tij, që është kryeministri i vendit. Ky i fundit është mandatuar për 13 vjet për ta formësuar të ardhmen në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë. Sot nuk janë thjesht studentë e të rinj që po e sulmojnë, ata janë vetë e ardhmja që po i turret, e kur të sulmon e ardhmja, atëherë qëndrimi në pushtet është i kotë. Kryeministri thotë se është i vetmi që do t’i fusë në Bashkimin Evropian, duke ngatërruar qëllimin me mjetin. BE-ja nuk është e ardhmja në vetvete, ajo është mekanizmi që ndërton një të ardhme me standarde dhe drejtësi. E ardhmja është pikërisht brezi i ri. Çfarë bën Edi Rama? U thotë që mjeti (BE-ja) është e ardhmja dhe këtë e realizoj vetëm unë. Çfarë thonë studentët? Thonë: E ardhmja jemi ne dhe BE-ja është vetëm një nga instrumentet e ndërtimit të saj.

Sot Rama dhe qeveria e tij, për t’i ikur përballjes me të ardhmen, në ligjërimet e tyre të bezdisshme mediatike për protestën, shtrojnë vetëm pyetjen: Kush? Ndërsa studentët, me protestën e tyre, shtrojnë pyetjen: Përse? E para merret vetëm me individin, e dyta është pyetje që lidhet me kauzën. Prandaj, kur studentët shtrojnë pyetje të tipit: Përse?, duan të demaskojnë shkaqet reale të vrasjes së të ardhmes. Ndërsa kur kryeministri merret vetëm me: Kush?, ai përdor sulmin dhe manipulimin për të justifikuar të shkuarën e tij. Faktet na tregojnë se e vetmja që nuk është integruar në BE është vetë qeveria shqiptare me gjithë antikohën e saj, dhe ata që vërtet janë integruar janë studentët, të cilët janë pohim i faktit që BE-në e paskemi pasur brenda nesh.

Kur studentët kërkojnë përgjegjësi politike, llogaridhënie dhe dorëheqje për keqqeverisje, në fakt ata po bëjnë një akt proevropian. Ai dhe ata që janë kundër integrimit me veprat e tyre janë kryeministri dhe establishmenti i korruptuar qeverisës, i cili përdor narrativën e integrimit evropian për të zgjatur agoninë. Nëse për këta 13 vjet në pushtet do të duhet t’i atribuojmë një meritë qeverisjeve Rama, është fakti se ai rriti një brez që u bë varrmihësi i tij politik. Ky është një pushtet që ka hyrë në një kontradiktë themelore politike dhe morale me të ardhmen.

Për hir të së vërtetës, nëse duhet t’u atribuojmë një meritë protestave gjatë këtyre pothuaj pesë muajve, është fakti se ato ia dolën të mbushnin boshllëkun e reagimit qytetar, i cili manipulohej dhe mbahej i paralizuar nga establishmenti politik tek ne. Ato patën meritën se ia arritën të konsolidonin përditë një institucion fort të rëndësishëm, atë të përballjes qytetare. Ato ia arritën që përballja tashmë të kthehet në institucion, i cili zëvendësoi paaftësinë, padëshirën dhe lojërat e dyshimta të opozitës politike shqiptare.

E në kohën kur ky institucion i përballjes qytetare po konsolidohet dita-ditës, vijojnë edhe kërkesat e tipit: “Përse nuk ka lidership protesta?”, “Përse nuk organizohen politikisht?” etj. E para, pse duhet lidership që shteti dhe shoqëria të arrijnë të kuptojnë shkaqet e protestës dhe revoltën e saj? E dyta, si çdo ndryshim i madh, edhe kjo fazë sociopolitike është një proces që do kohën e vet të natyrshme për t’u zhvilluar, pjekur dhe konsoliduar. Protestat studentore në Serbi vetëm pas dy vitesh arritën të konkurrojnë në zgjedhje dhe të rrëzojnë pushtetin e Vuçiçit, ndërkohë që protesta studentore është në ditën e 15-të të saj dhe ajo e mëparshmja në muajin e pestë. Sfida reale e studentëve dhe mbështetësve të tyre është transformimi i gjithë aksionit të protestës së tyre në një lëvizje studentore autonome politike, e cila ndërton gradualisht jo vetëm një mendim të vetin politik, por edhe një elitë të re të pandotur e të besueshme.

Gjithë këto pesë muaj të protestës u kthyen në një institucion të edukimit politik të shqiptarëve. Jo vetëm kjo, por edhe i pajisi shqiptarët për herë të parë në tranzicion me mekanizmin e daljes nga bipolariteti politik dhe gjithë mendësisë që e shoqëron atë. Kjo gjendje e re politike e të menduarit ndër shqiptarët është çliruese në vetvete, sepse hap diapazonin e gjykimit për të ardhmen jashtë kurthit të partive të mëdha.

Protestat prodhuan një energji të madhe dhe të pastër politike për shoqërinë shqiptare, e cila prej kohësh vuante nga pasiviteti dhe apatia politike. Kjo energji me voltazh të lartë, e paaftë të prodhohet nga partitë tradicionale, u pa nga këto të fundit si preja e radhës për ta zaptuar dhe për të fituar fuqi dhe legjitimitet. Pra, studentëve dhe të gjithë protestuesve u duhet të luftojnë dyfish për ta ruajtur të pastër energjinë e tyre politike. Nga njëra anë duhet të luftojnë me pushtetin dhe nga ana tjetër duhet të mbrohen nga partitë e tjera opozitare që janë sulur të rrëmbejnë sa të munden nga kjo energji.

REDI SHEHU /Gazeta Panorama

Exit mobile version