Në literaturën islame, dijetarët ndajnë shpalljen hyjnore në dy periudha:
• Kurani mekkas: Ajetet e shpallura para hixhretit.
• Kurani medinas: Ajetet e shpallura pas hixhretit.
Pra ndarja është kohore, jo gjeografike. Nuk ka rëndësi nëse ajeti zbriti në Mekë apo diku tjetër; kriteri qendron te momenti i shpalljes: para apo pas emigrimit në Medinë.
Shumë njerëz mendojnë se Kurani mekkas flet vetëm për akiden: njëshmerinë, botën tjetër, pejgamberinë, ringjalljen.
Po, bindja në Zotin ka peshë të madhe në këtë periudhë. Por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës.
Kurani mekkas i bashkon besimin me vlerat.
• Bindja ndërton marrëdhënien me Zotin.
• Vlerat ndërtojnë marrëdhënien me njerëzit.
Zemra e besimit është bashkimi i këtyre të dyjave. Pa besim, veprat nuk pranohet. Por pa vlera, besimi mbetet teori e thatë, e ftohtë dhe e palidhur me realitetin shoqëror.
Shembuj nga Kurani fisnik:
Le të shohim disa shembuj domethënës nga surja të ndryshme të Xhuz ‘Amma, i cili është thuajse i tëri mekkas.
a) Surja el-Mutaffifin – Ndërgjegjja ndaj padrejtësisë
“Ata që mashtrojnë në peshore…”k
Këtu Kurani nuk flet vetëm për besimin në Ditën e Gjykimit; ai potencon një vlerë shoqërore: ndalimin e padrejtësisë ekonomike.
Mashtrimi ndaj njerëzve lidhet me mungesën e besimit në Ditën e Ringjalljes.
b) Surja et-Tekvir – Dinjiteti i gruas
“E për ç’ faj u vra ajo foshnjë?”
Ky është një dënim i ashpër i varrimit të vajzave të gjalla — një krim social i kohës paraislame.
Këtu kemi ndërthurje të:
• vlerave: nderi, mbrojtja e femrës;
• akides: përgjegjësia para Allahut.
c) Surja el-Beled – Liria dhe solidariteti
“Kalo shtegun e vështirë… Liroj një rob…”
Këtu shohim që besimi i vërtetë shoqërohet me:
• luftën kundër skllavërisë,
• ushqimin e të varfërve,
• kujdesin për jetimat.
Akide + drejtësi sociale në të njëjtin tekst.
d) Surja el-Fehdr – Rrënimi i mendësisë materialiste
“Zoti më nderoi… Zoti më poshtëroi…”
Njeriu e mat veten me pasuri.
Kurani e përgënjeshtron këtë qasje dhe denoncon klasizmin: “Ju nuk nderoni jetimin.”
Pra, në vend të arrogancës, mëshohet vlera e solidaritetit dhe kujdesit social.
e) Surja el-Ma’un – Besimi si moral
“A e pe atë që e përgënjeshtron fenë? Ai që i shtyn jetimët…”
Këtu Kurani e lidh drejtpërdrejt mohojen e fesë me mungesën e mëshirës.
Nuk është bindja intelektuale që të bën besimtar, por edhe sjellja ndaj të dobëtve.
⸻
Pse ky fokus i madh në vlera që në fillim të shpalljes?
Këtu qëndron një mësim i jashtëzakonshëm.
E para
Allahut nuk deshi të ndërtojë një besim teorik, të prerë nga realiteti.
Besimi që nuk prodhon karakter, nuk ndryshon njeriun dhe nuk reformon shoqërinë nuk është modeli i Kuranit.
E dyta
Shumë njerëz afrohen te feja jo përmes argumenteve filozofike apo shkencore, por përmes veprave të mirësisë që shohin te muslimanët.
Humaniteti prek më shumë se logjika.
E treta
Kurani që në fillim ka dashur të ndërtojë:
• njeriun e denjë,
• brenda shoqërisë së mëshirshme,
që të jetë i gatshëm të përballojë peshën e imanit dhe sfidat e tij.
Për ne sot
• Nuk mjafton të pretendosh besim duhet ta dëshmosh atë përmes vlerave.
• Njerëzit nuk binden nga fjalët tona, por nga morali ynë.
• Shoqëria islame dallohet jo vetëm nga ritet, por nga drejtësia, mëshira, solidariteti, ndershmëria.
• Nëse duam të përhapim fenë, nuk ka armë më të fortë se vlera.
Hoxhë Halil Avdulli
