Ballina Artikuj Kurthi i Trump-it për Evropën, por….

Kurthi i Trump-it për Evropën, por….

Pierre Haski

Gabim të shkosh pas një presidenti që duket se ka rënë në kurthin e ngritur vetë…

Nga Pierre Haski, Internazionale

Siç e dimë, Donald Trump e zhvillon aksionin e tij diplomatik përmes rrjeteve sociale. Zëdhënësja e tij e konfirmoi këtë duke theksuar se postimet e presidentit përcaktojnë kursin. Prandaj duhet ta marrim plotësisht seriozisht postimin me të cilin Trump, më 14 mars, u bëri thirrje disa vendeve (përfshirë Francën, Britaninë e Madhe dhe Kinën) që të dërgojnë anijet e tyre luftarake për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Bllokimi i këtij kanali, nga ku zakonisht kalon 20 për qind e naftës botërore (përveç shumë produkteve të tjera), ka krijuar një situatë krize në shkallë globale që kërcënon të përkeqësohet. Në këtë kuadër, ftesa e Trump-it bart dy probleme: i pari është politik dhe i dyti ushtarak.

Çështja politike është e thjeshtë: vendet që u drejtohet presidenti amerikan janë padyshim të dëmtuara nga bllokimi i ngushticës, por s’kanë as dëshirën më të vogël për të marrë pjesë në luftën e nisur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara jashtë çdo kuadri ligjor.

A mund ta imagjinojmë Kinën, e cila furnizohet me naftë nga Irani, të marrë pjesë në një operacion krah për krah me Shtetet e Bashkuara? Është e pamendueshme. Franca nuk e ka komentuar ende ftesën e Trump-it, e cila është qartazi një burim sikleti.

Presidenti Emmanuel Macron ka dërguar në Mesdheun lindor dhe në Oqeanin Indian një pjesë të rëndësishme të marinës kombëtare, përfshirë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”. Për më tepër, ka propozuar organizimin e një operacioni europian për të garantuar sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Mbetet fakt që as Franca dhe as vendet e tjera evropiane nuk u paralajmëruan, e aq më pak u përfshinë në luftën kundër Iranit, dhe sot nuk dëshirojnë që të detyrohen të marrin pjesë. Projekti i një aksioni evropian, që do të diskutohet në Bruksel gjatë një takimi të ministrave të jashtëm, nuk pritet të konkretizohet derisa lufta është ende në vijim, por vetëm pas saj.

Megjithatë, vija që ndan një operacion europian të pavarur nga një pjesëmarrje thelbësore në operacione, është shumë e hollë. Nëse postimi i Trump-it synonte t’u imponohej francezëve, britanikëve dhe italianëve, atëherë në rastin më të mirë është një iniciativë e ngathët dhe në rastin më të keq kundërproduktive.

Problemi i dytë është i natyrës ushtarake. Në rrjetin e tij social, Truth, Trump shkruan se SHBA kanë shkatërruar “100 për qind të kapaciteteve ushtarake iraniane”, por në të njëjtën kohë pranon se ka nevojë për flotat e vendeve të tjera për të siguruar Ngushticën e Hormuzit. Pra, njëra përjashton tjetrën.

Ekspertët sigurojnë se një operacion për shoqërimin e anijeve çisternë dhe atyre tregtare do të ishte shumë delikat: do të kërkonte shumë mjete ushtarake për një periudhë afatgjatë dhe kosto tejet të larta. Dhe për më tepër përballë një kundërshtari i cili, pavarësisht bombardimeve masive nuk është thyer.

Rreziqet më të mëdha do të vinin nga mjetet e vogla lundruese të Gardës Revolucionare, të fshehura në portet e shumta iraniane, që janë të afta të shkaktojnë shumë dëme mbi anijet që kalojnë në ngushticë. Në çdo rast, thirrja e Trump-it nxjerr në pah dështimin e strategjisë amerikane.

Pas dy javë lufte, Uashingtoni është i detyruar t’u kërkojë ndihmë vendeve që i ka përçmuar vazhdimisht dhe i ka mbajtur në distancë. Rrallëherë Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në luftë me një mungesë kaq të theksuar përgatitjeje dhe mbi të gjitha pa kuptuar se me çfarë do të ballafaqoheshin.

Evropa do të bënte një gabim të madh nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së një “komandanti të përgjithshëm”, që duket se ka rënë në kurthin që ka ngritur vetë. /tesheshi

Exit mobile version