Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO siguron paqe dhe stabilitet

Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO siguron paqe dhe stabilitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit të parë mes tyre, Kurti e ka uruar admiralin për marrjen e detyrës së re dhe i ka ofruar bashkëpunim të plotë.

Ai ka theksuar komunikimin dhe ndërveprimin e mirë të qeverisë me misionin e NATO-s në Kosovë në garantimin e sigurisë dhe paqes për qytetarët.

“Kosova është një rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë, e cila ka shërbyer si motor i zhvillimit ekonomik, themel i shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale”, ka thënë Kurti, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike.

Ai gjithashtu ka nënvizuar angazhimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, duke e cilësuar si mënyrën më të mirë për të siguruar paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë dhe siguri rajonale.

“Siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj”, ka shtuar ai.

Në kuadër të takimit, Kurti e ka informuar admiralin Wikoff për veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar, sundimin e ligjit, si dhe investimet në mbrojtje.

“Ai e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën dhe për kontributin e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.

Exit mobile version