Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues pa përmbushjen e...

Kurti: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues pa përmbushjen e afatit 60-ditor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media deklaroi se deputetët që munguan në seancën e mbrëmshme për zgjedhjen e presidentit, nuk e kanë njoftuar kryetaren e Kuvendit për arsyet e mungesës, duke theksuar se pjesëmarrja në seanca plenare është obligim kushtetues i tyre.

Ai tha se kjo çështje tashmë është dërguar në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila pritet ta trajtojë materien që lidhet me mosmarrëveshjet dhe kërkesat e paraqitura.

Sipas Kurtit, procesi ende nuk ka arritur në fazën përfundimtare.

“Mbrëmë vetëm sa filluam me raundin e parë dhe nuk jemi aspak te përfundimi i raundit të tretë. Duhet të ketë dështim në raundin e tretë që të shpërndahet Kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhje të reja”,tha ai.

Kryeministri shtoi se sot është 6 mars dhe ende nuk është përmbushur kriteri kushtetues prej 60 ditësh për shpërndarjen e Kuvendit.

Në këtë situatë, sipas tij, një dekret për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën, pasi kjo kompetencë mund të ushtrohet vetëm në rastet e përcaktuara nga Kushtetuta.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se sot në orën 14:00 ishte planifikuar që Kuvendi të mbajë edhe një seancë tjetër, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit.

“Asnjë deputet i cili ka munguar në seancën e mbrëmshme nuk e ka njoftuar kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë është në Gjykatën Kushtetuese, është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seancat plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Kemi mos pajtime dhe kërkesë para Gjykatës Kushtetuese, kanë një materie të cilën tash duhet ta trajtojnë, mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë e kurrsesi nuk jemi tek përfundimi i raundit të tretë. Duhet të ketë dështim në raundin e tretë që të shpërndahet Kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhjet e reja, sot jemi më 6 mars dhe nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh, në këtë situatë të tillë dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara nga Kushtetuta. Në orën 14:00 sot ka qenë e planifikuar që Kuvendi të mbajë edhe një seancë të cilat do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media.

Exit mobile version