Ballina Lajmet Kosovë Kurti dhe Pendarovski në Mynih bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh

Kurti dhe Pendarovski në Mynih bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot në Mynih, në margjinat e Konferencës së 56-të të Sigurisë, zhvilloi takime bilaterale me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut, në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenti Pendarovski përcolli urimet për zgjedhjet e suksesshme parlamentare dhe për zgjedhjen e qeverisë së re në Kosovë të udhëhequr nga Kurti.

Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut pret që qeveria e re e Kosovës të forcojë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, duke nënvizuar thellimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë që kontribuojnë në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

“Presidenti Pendarovski theksoi se Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë së Veriut, ku tregtia është pa tarifa dhe kontribuon në zhvillimin e ekonomive të dy vendeve fqinje. Për të vazhduar këtë prirje pozitive, presidenti Pendarovski shprehu interes për mbajtjen e seancës së katërt të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik në periudhën e ardhshme”, thuhet në deklaratë.

Gjatë takimit gjithashtu u diskutuan nismat e ardhshme të përbashkëta si pjesë e bashkëpunimit rajonal.

Exit mobile version