Ballina Lajmet Kosovë Kurti: Diversiteti kulturor, një nga pasuritë e mëdha të Kosovës

Kurti: Diversiteti kulturor, një nga pasuritë e mëdha të Kosovës

Mundësitë e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë bërë më të qasshme dhe gjithnjë e më shumë anëtarë të këtyre komuniteteve po ndërtojnë karrierë profesionale në Kosovë. Kjo u theksua në hapjen e edicionit të 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, ku u vlerësua edhe progresi i arritur në arsim, punësim dhe përfshirje shoqërore të këtyre komuniteteve, raporton KosovaPress.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se diversiteti kulturor është pjesë e identitetit dhe një nga pasuritë e mëdha të Kosovës.

“Është pasuri që duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta përcjellim tek brezat e rinj.”

“Atëherë festivali organizohej vetëm për një ditë, ishte një iniciativë me vizion të madh, por me përmasa të vogla. Sot pas tetë vitesh e shohim sa ai vizion është rritur, është zgjeruar dhe është shndërruar në një traditë të rëndësishme për vendin tonë. Rrugëtimi i këtij festivali është dëshmia se idetë e mira, kur ndërtohen mbi përkushtim, bashkëpunim dhe besim në vlerat e përbashkëta, mund të marrin jetë të gjatë dhe ndikim të gjerë shoqëror. Nga një aktivitet njëditor, festivali sot është bërë një hapësirë ku takohen kultura, komunitete, breza, profesione dhe format e ndryshme të kreativitetit. Ai na ka krijuar vend për artizanët, për bizneset lokale, për gratë ndërmarrëse, për poetët, për artistët e rinj dhe për përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve… Festivali nuk është vetëm festë, është pasqyrë e mënyrës se si Republika e Kosovës e kupton dhe e ndërton vetveten si shtet demokratik, i hapur dhe gjithëpërfshirës. Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë dhe një nga pasuritë e mëdha të Kosovës. Është pasuri që duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta përcjellim tek brezat e rinj. ”, tha Kurti.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës ka zbatuar politika konkrete për avancimin e barazisë dhe përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ai përmendi ndarjen e rreth 2 mijë bursave për nxënësit e këtyre komuniteteve, si dhe mbështetjen financiare për qendrat mësimore gjatë viteve të fundit.

“Republika jonë është ndërtuar mbi parimin se të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, gjuhe, kulture, feje apo prejardhje, kanë vend të barabartë në jetën publike, shoqërore dhe institucionale. Prandaj avancimi i barazisë dhe i përfshirjes së të gjitha komuniteteve mbetet pjesë e pandashme e angazhimit tonë institucional. Kjo reflektohet në politikat dhe masat konkrete të cilat synojnë zgjerimin e mundësive në arsim, punësim, mbështetje sociale dhe pjesëmarrje në jetën publike të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse jemi shtet i cili është ndërtuar dhe beson në të drejtat e njeriut e të cilat i bëjnë bashkë universalitetin dhe barazinë. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë një qasje të qëndrueshme për avancimin e barazisë dhe gjithëpërfshirjes së komuniteteve. Kjo qasje nuk kufizohet në deklarata, por shtrihet në politika konkrete në arsim, punësim, mbështetje sociale dhe pjesëmarrje institucionale”, tha ai.

E, drejtori ekzekutiv i VoRAE-së, Isak Skenderi, tha se mundësitë e punësimit për komunitetet tani janë dukshëm më të mëdha.

“Kur e nisëm këtë rrugëtim, sfidat me të cilat përballeshin komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishin shumë më të mëdha. Pabarazitë në arsim ishin të theksuara. Mundësitë për punësim ishin të kufizuara. Kushtet e jetesës shpeshherë të papranueshme, ndërsa diskriminimi vazhdonte të ndikonte në jetën e përditshme të shumë familjeve. Sot, pas 15 vitesh, mund të themi me bindje se progresi është i mundur dhe se investimi në përfshirje jep rezultate konkrete. Në fushën e arsimit kemi investuar në modele që kanë ndihmuar ndjeshëm në ngushtimin e hendekut dhe pjesëmarrje dhe rezultate më të mira shkollore ndërmjet fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Modeli i qendrave mësimore dhe programeve të bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta, të cilat dikur ishin iniciativa të mbështetura nga partnerët tanë, sot janë mekanizma të institucionalizuar dhe pjesë e politikave publike të Kosovës”, u shpreh ai

Sipas Skenderit, investimet në arsim kanë ndihmuar në ngushtimin e hendekut mes fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë dhe pjesës tjetër të shoqërisë, ndërsa qendrat mësimore dhe programet e bursave tashmë janë bërë pjesë e politikave në Kosovë.

“Përmes ndërmjetësimit në punësim, mbështetjes teknike dhe bashkëpunimit me më shumë se 300 biznese dhe kompani ndër vite, sot kemi një realitet krejt tjetër nga ai që kishim një dekadë më parë. Mundësitë e punësimit janë më të qasshme dhe gjithnjë e gjithnjë e më shumë anëtarë të komuniteteve tona po ndërtojnë karrierë profesionale, po kontribuojnë në ekonominë e vendit dhe po sigurojnë mirëqenie për familjet e tyre.… Por nëse më duhet të veçoj një sukses që shkon përtej shifrave dhe statistikave, ai është ndryshimi i perceptimeve në shoqërinë tonë. Për dekada me radhë, romët, ashkallinjtë dhe egjiptianët janë parë përmes paragjykimeve dhe stereotipeve negative. Sot po jetojmë një realitet më ndryshe. Gjithnjë e më pak qytetarë hezitojnë që fëmijët e tyre të ndajnë të njëjtën klasë me fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian, e gjithnjë e më shumë njerëz janë të lumtur që t’i kenë ata si miq, fqinj ose kolegë të barabartë. Dhe ky ndryshim nuk ka ardhur vetvetiu. Ai është rezultat i viteve të tëra dialogu, sensibilizimi dhe komunikimi. Është rezultat i angazhimit të shoqërisë civile, institucioneve, partnerëve tanë dhe mediave”, deklaroi ai.

Skenderi vlerësoi gjithashtu progresin në fushën e banimit, duke thënë se mbi 500 familje kanë fituar qasje në ujë të ngrohtë dhe kushte të dinjitetshme sanitare.

Festivali Multikulturor dhe Ekspozita “KRAH” do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme kulturore, artistike dhe promovuese, duke synuar forcimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Exit mobile version