Ballina Lajmet Kosovë Kurti e Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Kurti e Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Në përkujtim dhe nderim të të vrarëve dhe masakruarve shqiptarë në masakrën e Sllovisë së Lipjanit, sot në 25-vjetorin e saj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në këtë fshat.

Konjufca theksoi se masakrat e kryera gjithandej Kosovës, janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës, për të cilat Kosova nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi.

Po ashtu, kreu i Kuvendit tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

“Sot bëra homazhe për nder të martirëve të Sllovisë, duke iu përkulur me respektin më të lartë sakrificës sublime. Dhimbja është shumë e madhe kur e dimë se sa shumë dha populli ynë për lirinë që e gëzojmë sot. Martirët tanë janë dëshmia e së drejtës sonë, e obligimit për drejtësi, të cilën nuk do reshtim kurrë së kërkuari. Ata janë thirrja ndaj ndërgjegjes sonë individuale dhe kolektive se duhet të bëjmë vazhdimisht më shumë për Kosovën”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.

Exit mobile version