Procesi i Berlinit u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur perspektiva e rajonit për anëtarësimin në BE dukej e largët. Për fat të keq, shtatë vjet më vonë situata nuk ka ndryshuar shumë. Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij, në takimin vjetor të Samitit të Berlinit.
Në takimin e ftuar nga Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, morën pjesë kryeministra të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Samiti u zhvillua në katër sesione të ndara ku u diskutua për të arriturat e Procesit të Berlinit bashkëpunimin rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për hapat e ardhshëm në këtë proces.
Në sesionin e parë folën dr. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Emir Djikic, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s.
Kryeministri Kurti mbajti fjalim në sesionin e dytë të samitit, ku folën edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.
Në sesionin e tretë të samitit diskutuan Sebastian Kurz, Kancelar Federal i Austrisë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë, Mario Draghi, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kryeministri i Polonisë, dr. Mateusz Morawiecki, kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.
Në sesionin e katërt diskutuan Olivér Várhelyi, Komisioner për fqinjësi e zgjerim të Komisionit Evropian, Albert Hani, Sekretar i përgjithshëm i Zyrës së Bashkëpunimit të të Rinjve të Rajonit, Mathias Cormann, Sekretar i përgjithshëm i OECD, dr. Hans Kluge, Drejtor rajonal për Evropë OBSH, dr. Werner Hoyer, President i EIB, Odile Renaud-Basso, President i EBRD, Rolf Wenzel, Guvernator i CEB, Christian Schmidt, Përfaqësues i lartë për Bosnje e Herzegovinë.
