Ballina Lajmet Kosovë Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares

Kurti përkujton 27-vjetorin e Betejës së Koshares

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e Beteja e Koshares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare dhe përpjekjeve për bashkimin kombëtar.

Në një postim publik, Kurti rikujtoi se më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, luftëtarët e UÇK-së ndërmorën sulm ndaj pozicioneve ushtarake serbe në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, me synimin për të shembur kufirin që për dekada ndante shqiptarët.

“Nga ajo ditë, deri më 10 qershor, për dy muaj të plotë rresht, mijëra pjesëtarë të UÇK-së do të përfshiheshin në luftimet e Betejës së Koshares, në një territor të shtrirë prej disa kilometrash dhe në një reliev të thyer malor e kodrinor”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar gjithashtu se beteja nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO mbi Jugosllavi, duke e cilësuar UÇK-në si një aleate të rëndësishme të kësaj aleance në ndalimin e fushatave të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ndër luftime të ashpra gjatë Betejës së Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, teksa mbi 400 të tjerë u plagosën”, ka shtuar ai.

Për humbjet në anën serbe, Kurti u shpreh se ato nuk janë bërë asnjëherë publike në mënyrë të plotë.

“Pala serbe asnjëherë nuk do t’i publikonte të plota të dhënat e humbjeve të turpshme prej kësaj beteje, por mbi 100 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave mbetën të vrarë kurse shumëfishi i numrit të tyre u plagosën”, ka theksuar Kurti

Në përfundim, ai bëri thirrje për kujtesë dhe nderim të përhershëm për të gjithë luftëtarët që morën pjesë në Beteja e Koshares, duke theksuar sakrificën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Exit mobile version