Ballina Lajmet Kosovë Kurti pritet nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, detaje nga...

Kurti pritet nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, detaje nga takimi

Në nisje të vizitës zyrtare në Londër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës thuhet se në takim, kryeministri Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke e theksuar marrëdhënien e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimin për sigurinë dhe prosperitetin evropian.

Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar është partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, kryeministri Kurti theksoi rritjen e buxhetit dhe rishpërndarjen e drejtë të tij, si dhe vuri në pah fushat në zhvillim me theks sektorin e teknologjisë dhe atë të bujqësisë.

Kryeministri Kurti foli për investimet në fushën e mbrojtjes, ushtrimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar trajnime dhe mbështetje për Ukrainën.

Në kuadër të zhvillimit demokratik, kryeministri e vlerësoi procesin e zbatimit të plotë, gradual dhe pa përjashtime të Ligjit për të Huajt.

Kryeministri Kurti theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si synime strategjike, janë thelbësore për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë.

Kryeministri Kurti e informoi Sekretaren Cooper për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë, përfshirë operimin me 48 bazat ushtarake të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën.

Lidhur me dialogun me Serbinë, ai përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin nga Serbia të kryekriminelit Milan Radoiçiq, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kryeministri theksoi se Kosova është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellë.

Kosova është partnere e besueshme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e rajonit.

Exit mobile version