Krerët e institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë, duke nderuar 24 zyrtarët policorë që humbën jetën gjatë shërbimit.
Në homazhe mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së policit Enver Zymeri.
“Dita e sotme përputhet me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymerit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial, po garantonte siguri e paqe për të gjithë pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se Zymeri u vra nga, siç u shpreh ai, “dora kriminale e strukturave të Serbisë”, duke e cilësuar atë hero të Kosovës.
“Dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të dhe që atëherë ai kujtohet si hero i Kosovës, i shtetësisë dhe pavarësisë sonë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë foli edhe për sfidat me të cilat është përballur Policia e Kosovës ndër vite, duke përmendur dorëheqjen kolektive të rreth 550 pjesëtarëve të komunitetit serb nga Policia e Kosovës në vitin 2022.
“Republika e Kosovës është më e sigurt se kurrë më parë, për shkak se edhe policia është më e fortë se kurrë më parë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit rreth 200 pjesëtarë të komunitetit serb janë inkuadruar në Policinë e Kosovës.
