Ballina Lajmet Kosovë Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi, nuk zgjidhet asgjë me trysni

Kurti: S’kam marrë kurrfarë ultimatumi, nuk zgjidhet asgjë me trysni

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri e se gjërat nuk mund të zgjidhen me trysni apo përmendje pasojash.

Ai ka thënë se në takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka ofruar atyre mënyrën e sigurt për të dalë nga kriza në veri, të cilën ka thënë se e kanë shkaktuar strukturat ilegale të Serbisë.

“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, ka theksuar Kurti, në një deklarim për media pas aktivitetit të xhudos që është mbajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku para qindra nxënësve nga shkollat e kësaj komune xhudistja Majlinda Kelmendi së bashku me shumë xhudistë të tjerë kanë demonstruar sportin e xhudos në kuadër projektit “Kosova shtet i xhudos”.

Ai ka thënë se në Kuvendin e Kosovës ka përmendur 30 emra, pesë prej të cilëve sipas tij janë në burg. “Të gjithë këta kriminelë, ekstremistë të dhunshëm që silleshin sikur një milici fashiste do të duhet që sa më parë të përballen me drejtësinë. Ka prej tyre që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë. Pika e parë është sundimi i ligjit nuk ka shtetndërtim demokratik, s’ka qëndrueshmëri institucionale, politike, shoqërore pa sundim të ligjit. Ndër definicionet më të mira të demokracisë është ligji mbi politikën”, ka theksuar Kurti.

Sipas tij këto struktura kanë qenë të udhëhequra dhe financuara nga Beogradi dhe duhet të përballen me drejtësinë për krimet dhe shkeljet që kanë bërë, siç ka thënë ai nga djegia e veturave e te plagosjet me armë zjarri, me shok-bomba e granata dore.

Kurti ka theksuar se me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme, do të bëhet zvogëlimi i numrit të policëve nëpër objektet komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të duhet të angazhohen për një proces fer dhe demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se janë të vetëdijshëm që se dalja në zgjedhje ka qenë shumë e ulët.

“Po zgjedhje të reja, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Kjo nënkupton se s’mund të jenë vetëm zgjedhje pa incidente, por duhet të ketë zgjedhje të lira, fer e demokratike në njërën anë dhe në anën tjetër fushatë parazgjedhore të lirë, fer e demokratike”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se këto gjëra nuk zgjidhen me trusni e përmendje sanksionesh.

“Nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash e ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik edhe më progresist në Ballkanin Perëndimor, unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë, kemi sfida me emisarët edhe evropianë edhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme, kur vjen emisari amerikan apo evropian si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, është në pyetje raporti me Serbinë”, ka thënë tutje Kurti.

Kjo sipas tij nuk është e njëjta gjë. “Kur SHBA-ja kërkon diçka në kuadër të marrëdhënieve bilaterale, ne nuk kemi kurrfarë dileme të themi po, mirëpo kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë me raportet tona me Serbinë atëherë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm, të kujdesshëm por normalisht gjithnjë të jemi bashkëbisedues, konstruktiv e të përkushtuar”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se është i gatshëm për diskutime e për bisedime. “Por e ritheksojmë, Republikën tonë demokratike, shtetin tonë të pavarur, Kosovën tonë sovrane, nuk e dorëzojmë asnjëherë për asnjë çmim para milicisë fashite, para këtyre grupeve kriminale e ekstremistëve”, ka theksuar Kurti.

Exit mobile version