Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe aleancës veri-atlantike, si dhe roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionet ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme.
“Faleminderit për angazhimin e NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes”, u shpreh Kurti.
Kryeministri theksoi mundësitë për trajnime profesionale dhe ushtarake të FSK-së në institucionet e NATO-s, si dhe rritjen e kapaciteteve të forcës sipas standardeve të aleancës.
Ai përmendi edhe performancën e lartë të FSK-së në misione ndërkombëtare, përfshirë Kuvajtin, Belize, Ishujt Falkland, Turqinë, dhe përgatitjet për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO”, tha Kurti.
Nga ana e saj, Hallengren vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e FSK-së.
“Falënderoj kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ngushtë, si dhe për vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza”, theksoi kryeministri.
Takimi u fokusua gjithashtu në mundësitë e trajnimit për personelin ukrainas në deminim dhe operacione kërkim-shpëtimi, si dhe thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.
