Grupimi i Gadi Eisenkot, përballet me përçarje të thella ideologjike dhe rivalitete personale
Fitorja e mundshme mbi Benjamin Netanyahun mund të rezultojë më e lehtë sesa marrëveshja për ta zëvendësuar atë.
Ndërsa negociatat për formimin e qeverisë së re izraelite po i afrohen afatit të parë, më 6 dhjetor, kryeministri në detyrë po përpiqet të shfrytëzojë përçarjet brenda aleancës opozitare, e cila synon t’i japë fund sundimit të tij.
Të mërkurën, Netanyahu zhvilloi një takim të padeklaruar me ish-kryeministrin Naftali Bennett, një prej figurave kryesore të opozitës.
Zyra e kryeministrit e cilësoi takimin dy orë e gjysmë si një informim mbi çështjet e sigurisë, por burime brenda aleancës e konsideruan një goditje strategjike për opozitën, raporton Al Jazeera.
Bennett nuk e kishte njoftuar paraprakisht Eisenkotin për takimin. Më pas, gjatë një mbledhjeje të drejtuesve të opozitës, ai thuhet se ka propozuar shqyrtimin e mundësisë për krijimin e një qeverie uniteti me Netanyahun. Ky qëndrim ka ringjallur dyshimet se kryeministri po përpiqet të përçajë kundërshtarët nga brenda.
Problemi është se aleanca për ndryshim bashkon politikanë me bindje shumë të ndryshme. Bennett dhe Avigdor Lieberman përfaqësojnë të djathtën, por kanë dallime të forta për çështjet fetare.
Bennett është nacionalist fetar, ndërsa Lieberman mban qëndrime të vendosura laike. Më në qendër qëndrojnë Eisenkot dhe Yair Lapid, ndërsa Yair Golan, drejtuesi i Demokratëve, përfaqëson krahun e majtë dhe mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Megjithatë, të gjithë kanë një të përbashkët: mbështetën, të paktën në fazën fillestare, luftën e Izraelit në Gaza dhe sulmet ndaj disa vendeve të rajonit, përfshirë Iranin dhe Libanin.
Përtej kësaj, dallimet për politikat e brendshme janë të konsiderueshme. Sipas Al Jazeera, Eisenkot duhet të sigurojë edhe 13 mandate për të arritur shumicën parlamentare.
Një prej mundësive është bashkëpunimi me partitë që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit, një ide që Golan e ka mbështetur publikisht. Por pjesa tjetër e aleancës e ka kundërshtuar, ndërsa propozimi ka shkaktuar reagime të ashpra nga e djathta, deri në kërcënime për luftë civile.
Lieberman, partia e të cilit ka shtatë vende në parlamentin e ri, e ka përjashtuar kategorikisht krijimin e një qeverie që do të varej nga mbështetja e partive arabe. Megjithatë, ai mund të detyrohet të bëjë lëshime në një tjetër çështje: shërbimin ushtarak të hebrenjve ultraortodoksë.
Kundërshtimi i tij ndaj përjashtimit të tyre nga ushtria, ka qenë një prej pikave kryesore të programit politik, por tani në skenë janë edhe 13 mandatet e partive fetare Shas dhe Judaizmi i Bashkuar i Torës.
Një kompromis me këto parti, mund t’i kushtojë Lieberma-nit besueshmërinë përpara zgjedhësve të tij. Përplasjet kanë nisur prej kohësh. Në gusht, Bennett e cilësoi si gabim të rëndë propozimin e Eisenkotit për përjashtime të kufizuara nga shërbimi ushtarak për ultraortodoksët.
Nga ana tjetër, Eisenkot akuzoi Bennettin dhe Liebermanin se po zhvillonin politikë të vjetër dhe po dëmtonin shanset e opozitës duke mos pranuar që partia më e madhe e aleancës të drejtonte qeverinë.
Lieberman shkoi edhe më tej, duke e quajtur Eisenkotin një version të dytë të Benny Gantz, ish-ministrit të Mbrojtjes që iu bashkua qeverisë së Netanyahut, pavarësisht se kishte bërë fushatë kundër tij. Ai e akuzoi Eisenkot-in se po kërkonte fshehurazi një marrëveshje me kryeministrin.
Ironia është se disa prej këtyre politikanëve kanë qenë dikur aleatë të ngushtë të Netanyahut. Bennett ka shërbyer në disa prej qeverive të tij, ndërsa Lieberman ka mbajtur postet e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Edhe Eisenkot iu bashkua qeverisë së unitetit të Netanyahut pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Al Jazeera vëren se kjo histori bashkëpunimi e bën edhe më të brishtë besimin mes tyre.
Për më tepër, vetë Bennett dhe Lieberman kanë shprehur në të kaluarën vlerësime pozitive për Netanyahun, të cilin sot e paraqesin si pengesën kryesore për të ardhmen politike të Izraelit.
Kështu, Netanyahu mund të mos ketë nevojë ta mposhtë opozitën në parlament. Mjafton që kundërshtarët e tij të mos arrijnë të kapërcejnë dallimet mes tyre. Për momentin, ata janë bashkuar për ta larguar nga pushteti, por nuk kanë dëshmuar ende se mund të bien dakord për atë që do të vijë pas tij. \tesheshi
