Antisemitizmi dënohet me shpejtësi, por jo islamofobia
Ömer Kayacı, Daily Sabah
Në një intervistë të fundit për televizionin amerikan ABC, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, përsëriti bindjen e tij se nuk mund të mbështesë “asnjë shtet që privilegjon një fe mbi një tjetër”.
Ai e bëri këtë deklaratë pasi u pyet nëse do ta mbështeste “Izraelin si një shtet hebre”. Nuk ishte hera e parë që Mamdani përballej me këtë pyetje. Ajo i është drejtuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë debatit paraprak të Partisë Demokratike, ku ai ishte kandidati i vetëm që refuzoi të deklaronte se Izraeli do të ishte destinacioni i tij i parë zyrtar jashtë vendit nëse zgjidhej.
Qëndrimi i Mamdanit në favor të barazisë së të gjithë qytetarëve i ka sjellë shumë kundërshtarë. Disa prej tyre e kanë akuzuar vazhdimisht për përdorimin e “gjuhës së hapur antisemite”.
Një ndër ta ishte edhe ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i cili pak javë më parë e sulmoi publikisht Mamdanin për kritikat ndaj Komitetit Amerikan-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC).
Ndërhyrje të tilla nuk janë të rralla. Ministrat e qeverisë izraelite, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, shpesh pretendojnë se po mbrojnë sigurinë e hebrenjve duke sulmuar figura publike në vende të ndryshme të botës, të cilat sipas tyre rrezikojnë komunitetet hebraike me deklaratat e tyre.
Këto akuza përdoren si mjet presioni politik dhe shpesh rezultojnë efektive, pasi shumë qeveri ndihen të detyruara t’u përgjigjen. Por kjo ngre një pyetje të pashmangshme: kush i mbron muslimanët?
Çfarë ndodh me shqetësimet e miliona myslimanëve që jetojnë në vende ku klima politike dhe shoqërore po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj tyre?
Po figurat publike që promovojnë hapur islamofobinë? A nuk duhet edhe ato të përballen me të njëjtin reagim që shohim sa herë ngrihen akuza për antisemitizëm?
Një anëtar i Kongresit amerikan ka krahasuar myslimanët me qentë, pa u përballur me reagime të forta ndërkombëtare. Në një rast tjetër, njeriu më i pasur në botë promovoi një film ku protagonisti vret familjen e një emigranti mysliman.
Edhe në këtë rast, nuk pati dënime të forta nga figura me ndikim në botën myslimane. Shqetësimet reale të muslimanëve shpesh anashkalohen.
Sot, vetë prania e muslimanëve paraqitet gjithnjë e më shpesh si një kërcënim. Ky perceptim ushqen diskriminimin dhe rrezikon sigurinë e tyre, si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.
Në të njëjtën kohë, vetë termi “islamofobi” vihet shpesh në dyshim ose përqeshet nga ata që minimizojnë urrejtjen ndaj muslimanëve.
Muslimanët e dinë se rritja e antisemitizmit në Perëndim nuk buron nga prania e tyre, por nga pasojat e konflikteve në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ata vazhdojnë të mos kenë një mekanizëm ndërkombëtar me të njëjtën peshë që të mbrojë interesat dhe sigurinë e tyre.
A mund ta luajë këtë rol shoqëria civile? Unë mbetem skeptik, sepse edhe organizatat civile ndikohen shpesh nga interesa politike, ndërsa ata që kontribuojnë në izolimin e muslimanëve kanë edhe ndikimin më të madh në formësimin e debatit publik.
Një alternativë tjetër do të ishin institucionet dhe qeveritë e vendeve me shumicë muslimane. Disa prej tyre kanë peshën diplomatike për të kundërshtuar narrativat islamofobe, për të denoncuar padrejtësitë dhe për të mbrojtur dinjitetin e komuniteteve myslimane në arenën ndërkombëtare.
Problemi nuk është mungesa e institucioneve, por mungesa e reagimit. Ndërsa akuzat për antisemitizëm marrin përgjigje të menjëhershme nga zyrtarë dhe diplomatë të lartë, islamofobia trajtohet rrallëherë me të njëjtën urgjencë.
Mbrojtja e muslimanëve nuk duhet të jetë një çështje politike apo fetare, por një detyrim universal në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe barazisë. \tesheshi
