Ballina Lajmet Kuvendi kroat shënon përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Kuvendi kroat shënon përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë

Në sallën e vogël të Parlamentit kroat u shënua 22 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, nga ku u dërguan mesazhe për rëndësinë e ruajtjes së kujtimit të tragjedisë së Srebrenicës, nevojës për identifikimin e viktimave dhe përcaktimin e përgjegjësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviç në fjalimin e tij ka thënë se tragjedia e Serbrenicës vazhdon ende, përkundër se ka kaluar kohë e gjatë dhe se tragjedia nuk do të përfundojë deri sa nuk identifikohet edhe viktima e fundit.

“Sot jemi këtu për të nderuar nënat e Srebrenicës të cilat gjatë gjithë këtyre viteve kanë luftuar për të gjetur të dashurit e tyre, për t’ia bërë të qartë botës të vërteten për Srebrenicën, për të ruajtur kujtimet për të gjitha viktimat e saj”, ka thënë Jandrokoviç.

Ai paralajmëroi se një numër i madh i autorëve të gjenocidit në Srebrenicë ende janë të lirë, pavarësisht nga fakti se disa prej tyre janë dënuar në gjyqin e Hagës.

Megjithëse gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë, ka nga ata që e mohojnë atë, tha Jandrokoviç dhe bëri thirrje për luftë të përbashkët për zbardhjen e të vërtetës dhe për të ruajtur kujtesën.

Kryebashkiaku i Zagrebit Milan Bandiç theksoi se edhe pas 22 vitesh nga masakra e boshnjakëve në Srebrenicë tregimet për vuajtjet njerëzore dhe të keqes ende janë të freskëta.

“Prandaj, ne nga ky kuvend i nderuar pamëdyshje themi se ne, si dëshmitarë të kohës dhe këtij akti, qëndrojmë kundër të gjitha përpjekjeve të zëshme që viktimat e Srebrenicës të depersonalizohen dhe të mbesin pa emra të zhvlerësohen dhe me këtë sërish të heshten”, tha Bandiç.

Ai theksoi se “gjenocidi nuk është fatkeqësi natyrore, por vrasje institucionale dhe e organizuar të një komuniteti”.

“Vrasja masive nga 11 deri më 16 korrik 1995 në zonën e mbrojtur të Kombeve të Bashkuara është vetëm një epilog i politikës gjenocidale serbomadhe e cila filloi në maj të vitit 1992”, tha kryebashkiaku i Zagrebit.

Ai shtoi se kurrë nuk do të harrojë heshtjen e komunitetit ndërkombëtar.

Kryetari i Këshillit të pakicës boshnjake të Zagrebit, Harun Omerbashiç tha se edhe pas 22 vitesh më 11 korrik në Potoçari varrosen viktimat e gjenocidit, këtë vit 71 burra dhe djem, nga të cilët shtatë të mitur.

Ermina Lekaj Përljaskaj, përfaqësuese e pakicave kombëtare në Parlamentin kroat, tha se gjenocidi i fundit i shekullit 20 është kryer në Bosnjë e Hercegovinë, në përmasa të një krimi të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ajo kërkoi përgjegjësi nga komuniteti ndërkombëtar për krimet në Srebrenicë dhe shtoi se edhe sot e kësaj dite janë të pranishme mohimi, heshtja dhe minimizimi i këtij krimi.

Shënimi i 22 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë u organizua nga Këshilli i pakicës kombëtare boshnjake të Zagrebit, Shoqata Kulturore e boshnjakëve të Kroacisë “Preporod” dhe përfaqësuesja e pakicave kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene Ermina Lekaj Përljaskaj.

Exit mobile version