Ballina Lajmet Kosovë Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Në Kuvendin e Kosovës pritet që gjatë ditës së sotme të zhvillohet seanca e radhës plenare, e cila do të nisë në orën 10:00.

Deputetët do të mblidhen për të shqyrtuar një sërë çështjesh të planifikuara për vendimmarrje.

Në fillim të punimeve parashihet miratimi i rendit të ditës, si dhe aprovimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar.

Më pas, do të vijojnë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe sesioni i pyetjeve parlamentare.

Një pjesë e rëndësishme e agjendës lidhet me disa projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjeve të kredive ndërmjet Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Në mesin e tyre përfshihen marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për mbështetjen e sektorit financiar dhe përmirësimin e tregtisë e transportit në Ballkanin Perëndimor, me Agjencinë Franceze për Zhvillim për programe të bazuara në politika kredie, si dhe me KfW për projekte që lidhen me energjinë dhe klimën.

Gjithashtu, deputetët do të vendosin për një propozim-rezolutë që trajton rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ndikimin e tyre në jetesën e qytetarëve.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe shqyrtimi i një rezolute që lidhet me ruajtjen e së vërtetës historike për luftën në Kosovë gjatë viteve 1998–1999.

Në kuadër të kësaj seance pritet të bëhet edhe përzgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe të shqyrtohen propozimet e grupeve parlamentare nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për përfaqësim në komisionet parlamentare.

Ndërkohë, më herët gjatë javës, Kryesia e Kuvendit nuk kishte arritur të finalizonte rendin e ditës për këtë seancë, për shkak të mospajtimeve ndërmjet subjekteve politike.

Debatet kryesore ishin përqendruar rreth një rezolute të propozuar nga PDK, e cila kishte të bënte me trajtimin e vlerave të luftës së viteve 1998–1999 dhe çështjen e viktimave.

Exit mobile version