Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot një seancë të jashtëzakonshme me fillim nga ora 11:00, ku në rend dite do të jetë vetëm një pikë: shqyrtimi i Propozim-Rezolutës lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit.
Kjo seancë është thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në fokus të diskutimit do të jetë rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës së qytetarëve, si dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka theksuar se ndërhyrja e ekzekutivit është urgjente, duke kritikuar mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet.
“Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten, ndërsa qytetarët po varfërohen. Qeveria po qëndron spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme, transparencë dhe masa konkrete,” ka deklaruar ajo.
Deputetët e opozitës kanë akuzuar Qeverinë se nuk ka ndërmarrë masa për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, duke përmendur si mundësi uljen e akcizës dhe të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), propozime që sipas tyre janë refuzuar nga zyrtarët qeveritarë.
Sipas të dhënave aktuale, çmimi i naftës në vend ka arritur rreth 1.8 euro për litër, duke shënuar një rritje prej më shumë se 50 për qind që nga fillimi i muajit mars.
Rritja e çmimeve po ndikohet edhe nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe tranziti për rreth 20 për qind të eksporteve globale të naftës.
