Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur një koalicion në qytetin e Gjilanit.
Kështu ka njoftuar kandidati për kryetar të kësaj komune nga LDK-ja, Arbër Ismaili.
“Të dashur qytetarë, Sot nënshkruam një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që bashkon, që punon me transparencë dhe që vendos interesin publik mbi gjithçka”, ka deklaruar ai.
Tutje, Ismaili ka shkruar se “Qeverisja që duam është ajo që i shërben qytetarëve pa dallime, me vizion dhe përgjegjësi”.
“Falënderim të veçantë për Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, dhe Riad Rashiti, kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, për gatishmërinë, vizionin dhe frymën e bashkëpunimit që po e ndërtojmë bashkë për të mirën e qytetit tonë. Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon”, ka pohuar ai.
Ai ka shkruar “këtë do ta bëjmë bashkë me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë”.
