Ballina Lajmet Kosovë LDK dorëzon në polici dosjen për njehsorët elektrikë

LDK dorëzon në polici dosjen për njehsorët elektrikë

Visar Azemi nga Lidhja Demokratike të Kosovës të hënën ka dorëzuar dosjen për njehsorët elektrikë në Departamentin e Hetimeve.

Dëshmi për problemet me njehsorët eklektikë, Azemi ka dorëzuar edhe në Zyrën e Rregullatorit për Energji(ZRRE) dhe KEDS.

LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.

Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave.

Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave.

Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

Exit mobile version