Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Liban, numri i të vdekurve nga sulmet izraelite rritet në 294

Liban, numri i të vdekurve nga sulmet izraelite rritet në 294

Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në vend që nga e hëna është rritur në 294, ndërsa 1.023 të tjerë janë plagosur, transmeton Anadolu.

“Bilanci i agresionit izraelit që nga agimi i së hënës, 2 mars, deri të shtunën pasdite është rritur në 294 martirë dhe 1.023 të plagosur”, tha Qendra e Operacioneve Emergjente Shëndetësore, e lidhur me ministrinë.

Gjithashtu theksohet se sulmet në përshkallëzim kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz dhe kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë të ndërtesave banesore dhe fetare, si dhe të infrastrukturës.

Zhvillimet vijnë teksa Izraeli ka zgjeruar fushatën ushtarake në Liban që nga e hëna, pas disa sulmeve të kufizuara me raketa nga Hezbollahu mes tensioneve më të gjera rajonale të lidhura me luftën e zhvilluar nga Izraeli dhe SHBA-ja kundër Iranit.

Izraeli ka vrarë të paktën 4 mijë persona dhe ka plagosur rreth 17 mijë gjatë ofensivës në Liban që filloi në tetor të vitit 2023 dhe u përshkallëzua në një luftë të plotë në shtator të vitit 2024.

Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi me Hezbollahun të nënshkruar në nëntor të vitit 2024, Izraeli ka vazhduar shkeljet pothuajse të përditshme që kanë lënë qindra të vrarë dhe të plagosur.

Exit mobile version