Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Libanezët të shqetësuar për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në kufi

Libanezët të shqetësuar për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në kufi

Populli libanez është i shqetësuar për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në kufi, të cilat shkelin armëpushimin, raporton Anadolu.

Banorët thonë se ushtria izraelite synon të “fusë frikë” tek popullata me këto sulme.

Në jug të Libanit ku sulmet e vazhdueshme izraelite po thellojnë krizën humanitare, banorët e Bab es-Seniyye, në perëndim të qytetit Hiyam, u zgjuan nga një sulm i ri në të cilin u hodh në erë një ndërtesë trekatëshe. Ndërsa shtëpitë përreth u dëmtuan në sulm, nuk u raportuan viktima ose të lënduar.

Vendbanimi është kryesisht i mbuluar me rrënoja dhe shtëpi të shkatërruara për shkak të sulmeve të fundit izraelite. Ende nuk është bërë asnjë deklaratë zyrtare nga autoritetet izraelite ose libaneze lidhur me bombardimin e ndërtesës në Hiyam.

Media izraelite ka kohë që raporton se ushtria izraelite ka “përfunduar” një plan për të nisur “ofensivë në shkallë të gjerë” kundër pozicioneve të Hezbollahut nëse qeveria dhe ushtria libaneze dështojnë të zbatojnë planin për çarmatosjen e Hezbollahut.

Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon të shkelë armëpushimin me sulme pothuajse çdo ditë që nga nëntori i vitit 2024. Në sulmet e fundit ajo ka pushtuar pesë kodra në jug, duke i shtuar ato zonave të tjera që i ka pushtuar për dekada.

– Bombardimet izraelite “synojnë të mbjellin frikë”

Duke folur për Anadolu, 80-vjeçari Sattam Abdullah, pronar i një shtëpie ngjitur me ndërtesën e synuar në vendbanimin Hiyam, tha se forcat izraelite kohët e fundit kanë hedhur granata të shumta tymuese në zonë “për të frikësuar”.

“Ata bombarduan një shtëpi. Nuk e dimë nëse u bë nga një sulm ajror apo nga eksplozivë të vendosur, sepse ne ishim në gjumë”, tha Abdullah.

“Forcat izraelite hyjnë dhe dalin vazhdimisht nga qyteti. Ne po përjetojmë një tragjedi nën bombardime të vazhdueshme”, tha ai.

Muhammad Abdullah (57), dyqanet e të cilit u dëmtuan në sulme, tha se forcat izraelite “erdhën në qytet me automjete të vogla, vunë mina brenda ndërtesës dhe i shpërthyen ato”.

Ai tha se disa biznese aty pranë u dëmtuan për shkak të shpërthimit dhe shprehu trishtimin e tij që forcat izraelite po hynin në qytet pa asnjë kontroll.

“Nuk e dimë nëse do të na lënë të jetojmë. Deri më tani nuk ka asgjë për të na qetësuar. Ne jetojmë në një gjendje tensioni nervor çdo ditë. Ka pothuajse incidente të vazhdueshme sigurie. Sidomos pasi jemi pikërisht në kufi dhe afër kodrës Hamamis, një nga pesë pikat ende nën pushtimin izraelit”, tha ai.

Muhammed Sattam, një banor 50-vjeçar i vendbanimit, tha se dy ditë më parë, një dron izraelit hodhi granata zhurmuese mbi rojen e sigurisë së ndërtesës.

– Sulmet dhe pushtimi izraelit vazhdojnë në Liban pavarësisht armëpushimit

Izraeli nisi ofensivë kundër Libanit në tetor 2023, e cila u përshkallëzua në një luftë në shkallë të gjerë në shtator 2024. Më shumë se 4.000 u vranë në luftë dhe afërsisht 17.000 u plagosën.

Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur midis Libanit dhe Izraelit më 27 nëntor 2024, ushtria izraelite thuhet se e ka shkelur armëpushimin mijëra herë.

Izraeli ende mban nën kontroll pesë kodra të pushtuara në Liban pas 8 tetorit 2023 dhe ruan praninë e tij në disa zona që i ka mbajtur për dekada.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 331 persona u vranë dhe 945 u plagosën në sulmet izraelite ndaj Libanit midis 27 nëntorit 2024 dhe 20 nëntorit 2025, në shkelje të armëpushimit.

Exit mobile version