Ballina Arritje arsim Libri dhe shoqëria shqiptare

Libri dhe shoqëria shqiptare

Prof. Dr. Adnan Ismaili

Libri ka qenë shkaktari kryesor që shoqëria shqiptare filloi të mendojë, filloi ta shohë ndryshe lirinë, filloi të lexojë saktë padrejtësinë dhe diskriminimin, por vetëm në saje të librit, u krijuan mundësi të gjetjes së shtigjeve për prosperitet.

Kur flitet për Maqedoninë e viteve të ’90-ta, ajo ka qenë mjaft e varfër në aspekt të librit shqip. Kanë qenë botimet e “Flakës së vëllazërimit”, botimet e ardhura nga Prishtina dhe jo më shumë. Të bëje libër në atë kohë, kjo ishte sfida më e madhe.

Më kujtohet se librin e parë në Logos-A e kemi shtypur në makinë daktilografie më shumë se 10 herë dhe, përkundër gabimeve që i bënim, e përsërisnim nga fillimi me shumë dëshirë.

Ka qenë një dashuri e zjarrtë ta mbash në dorë një libër që e ke prodhuar vetë.
Nëse na lejohet një krahasim, do të thosha se dashuria jonë për librin që e bënim vetë, ka qenë gati si dashuria e nënës për foshnjën kur e lind.

Ajo që duhet vënë re ishte se, për shkaqe ideologjike, shqiptarëve të Maqedonisë u ishte mohuar e drejta e prodhimit të librave që përkonin me shpirtin e tyre autokton, madje agresioni ideologjik komunist kishte lënë pasoja të dukshme. Prandaj, kur filluam ne të botojmë libra, kjo përveç që ishte një ndërmarrje revolucionare, ishte njëherazi edhe një përpjekje për të korrigjuar një hibridizim të identitetit shqiptar në Maqedoni.
Sot është e qartë se nuk kemi pasur kurrfarë tendencash, por atëbotë shumëkush na shihte ose si donkishotë ose si të rrezikshëm. Por, ia dolëm.
Sot jam i bindur se, nëse e shikon katalogun e librave të botuara nga ne, e fiton përshtypjen se mjeshtërisht aty është thurur gjithë identiteti shqiptar në Maqedoni, i cili – si i tillë – është shpërndarë edhe tutje në hapësirat shqiptare. Madje, jam i sigurt se ky fond librash ka qenë – në një mënyrë – ambasadori më i mirë për njohjen e shqiptarit të Maqedonisë gjithandej./MESAZHI/

Exit mobile version