Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Liderët e BE arrijnë dakordësinë për qendrat e emigrantëve. Ku do të...

Liderët e BE arrijnë dakordësinë për qendrat e emigrantëve. Ku do të ndërtohen ato?

Qendra të sigurta për emigrantët mund të ngrihen në shtetet e BE për të përpunuar kërkesat e azilit, nën një marrëveshje të arritur pas bisedimeve maratonë në një samit në Bruksel.

BBC shkruan se qendrat e kontrollit do të ngrihen nga shtetet e BE-së në baza vullnetare dhe emigrantët, kërkesat e të cilëve refuzohen, do të “kthehen”.

Refugjatët mund të rivendosen në shtetet e BE-së, nëse bien dakord t’i marrin ata.

Marrëveshja pason javët e mosmarrëveshjeve diplomatike mbi anijet e shpëtimit të emigrantëve dhe se cili vend duhet t’i marrë ato.

Zyrtarët e rojës bregdetare thanë të premten se rreth 100 njerëz mendohet se u mbytën në bregun libian, dhe 14 të tjerë u shpëtuan. Ata u gjetën në ujërat në lindje të kryeqytetit, Tripoli.

Ku do të ndërtohen qendrat?

BBC shkruan se nuk ka detaje se në cilat vende mund të ngrihen qendrat e sigurta ose të merrnin refugjatë, por Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të ishin vendet ku emigrantët mbërrijnë fillimisht në BE.

“Ne kemi arritur ekuilibrin e duhur midis përgjegjësisë dhe solidaritetit,” tha ai.

Numrat që hyjnë ilegalisht në BE kanë rënë 96% që nga kulmi i tyre i 2015, thotë Këshilli Evropian.

Italia – pika e hyrjes për mijëra emigrantë, kryesisht nga Afrika – pat kërcënuar të vërë veton për të gjithë axhendën e samitit nëse nuk merrte ndihmë.

“Pas këtij samiti evropian, Evropa është më përgjegjëse dhe ofron më shumë solidaritet”, tha Kryeministri italian Giuseppe Conte. “Sot Italia nuk është më vetëm.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se duhet bërë më shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha se ishte “shumë herët për të folur për një sukses”.

“Ne kemi mundur të arrijmë një marrëveshje në Këshillin Evropian, por kjo është në fakt pjesa më e lehtë e detyrës, në krahasim me atë që na pret në terren kur të  fillojmë ta zbatojmë atë”, tha ai në një konferencë shtypi./Ora News

Exit mobile version