Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) do të takohen për një samit të jashtëzakonshëm të enjten, më 22 janar, pas vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të vendosur tarifa shtesë ndaj vendeve që mbështesin Grenlandën, transmeton Anadolu.
Një deklaratë me shkrim lidhur me samitin e jashtëzakonshëm u lëshua nga zëdhënësi i Presidencës së Këshillit Evropian.
“Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa do të thërrasë një samit të posaçëm të udhëheqësve të BE-së në orën 19:00 më 22 janar për të diskutuar mbi marrëdhëniet transatlantike”, thekson deklarata.
Presidenti i Këshillit Evropian, Costa ka njoftuar më parë se udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së do të mbanin një takim të jashtëzakonshëm mbi Grenlandën në ditët në vijim.
– Kërcënimi i Trumpit për Grenlandën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se vendi i tij “ka nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare” dhe se është “jetike për ndërtimin e Kupolës së Artë”.
Pas një takimi në Washington midis ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës, u vu re se mosmarrëveshjet themelore vazhduan dhe se “dëshira e SHBA-së për të marrë nën kontroll Grenlandën është e qartë”.
Grenlanda, një rajon autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka refuzuar më parë propozimet nga SHBA-ja që përfshijnë transferimin e sovranitetit.
Kohët e fundit, Danimarka bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ushtarak në rajon me aleatët e saj. Në këtë kontekst, vendet evropiane njoftuan se do të dërgonin njësi të vogla ushtarake dhe oficerë në Grenlandë.
Pas kësaj, Trumpi mbrojti idenë se mosmarrëveshja për Grenlandën rrezikonte paqen botërore dhe njoftoi se do të vendoste tarifa për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Finlandën për shkak se kundërshtuan blerjen e Grenlandës nga SHBA-ja.
Trumpi tha se një tarifë prej 10 për qind do të aplikohej për këto tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti 2026 dhe do të rritej në 25 për qind pas 1 qershorit 2026, duke mbetur në atë nivel derisa të arrihet marrëveshja për blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës.
