Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Liderët e rajonit mesazhe urimi për Fitër Bajramin, theksojnë paqen, solidaritetin dhe...

Liderët e rajonit mesazhe urimi për Fitër Bajramin, theksojnë paqen, solidaritetin dhe bashkëjetesën

Liderët e vendeve të rajonit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Anadolu.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e Fitër Bajramit ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në vend, duke iu përcjellë urimet më të përzemërta për festën.

Ajo theksoi se Fitër Bajrami përfaqëson më shumë se një festë tradicionale, duke e cilësuar atë si një shprehje të besimit të thellë, spiritualitetit, mëshirës, harmonisë dhe dashurisë.

“Energjia dhe ngrohtësia e muajit të shenjtë nuk janë të pranishme vetëm në objektet fetare islame dhe në shtëpitë e bashkëqytetarëve tanë myslimanë, por ndihen në të gjithë komunitetin”, thuhet në mesazh.

Presidentja maqedonase gjithashtu tha se në një kohë kur bota përballet me konflikte, luftëra, kriza dhe ndryshime klimatike, paqja dhe stabiliteti janë më të nevojshme se kurrë.

“Vetëm përmes unitetit, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme dhe një atdhe të begatë”, theksoi ajo.

Siljanovska-Davkova bëri thirrje që fryma e solidaritetit, empatisë dhe mirëkuptimit të ruhet gjatë gjithë vitit, duke shprehur bindjen se sfidat dhe vështirësitë mund të tejkalohen përmes vullnetit të fortë dhe bashkimit.

Ndërkaq, edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, përcolli urimet më të sinqerta dhe dëshirat më të përzemërta për shëndet të mirë, paqe, gëzim dhe mirëqenie.

“Kjo festë e madhe sjell mesazhe për dashuri, mëshirë dhe unitet, vlera që janë veçanërisht të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të harmonizuar, të drejtë dhe dinjitoze”, tha Gashi.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka publikuar në rrjtete sociale mesazhin e tij të urimit.

“Me rastin e festës së Fitër Bajramit, uroj të gjithë besimtarët myslimanë: gëzuar e mbarësi paçi gjithmonë në familjet tuaja. Qoftë agjërimi dhe përkushtimi juaj i pranuarç. Qoftë kjo festë një ditë gëzimi dhe solidariteti për të gjithë”, ka shkruar Begaj.

Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë dhe politikanë të tjerë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë uruar qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke përcjellë mesazhe uniteti, solidariteti dhe reflektimi shoqëror.

Në urimin e saj, presidentja Osmani theksoi rëndësinë që kjo festë të shërbejë si moment afrimi dhe bashkimi mes njerëzve.

Ajo uroi që lutjet dhe agjërimi i besimtarëve gjatë muajit të shenjtë të Ramazani të jenë pranuar, ndërsa nënvizoi se Bajrami është një ditë kur hapen zemrat dhe shtohet ndjenja e bujarisë e solidaritetit në shoqëri.

Ndërkaq, kryeministri Kurti në mesazhin e tij vuri në pah rëndësinë e falënderimit për begatitë dhe përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, sidomos ndaj atyre që kanë më pak.

Ai theksoi se kjo festë duhet të shërbejë si thirrje për më shumë kujdes, mirëkuptim dhe angazhim për përmirësim individual dhe shoqëror.

Në veçanti, Kurti theksoi edhe rëndësinë e kujdesit për fëmijët, duke i cilësuar ata si amanet të shenjtë dhe duke bërë thirrje për më shumë vëmendje në mirëqenien, edukimin dhe mbrojtjen e tyre.

Të dy liderët uruan që kjo ditë feste të sjellë paqe, harmoni dhe shpresë për të gjithë qytetarët.

Exit mobile version