Ballina Lajmet Kosovë Limaj: Si bashkëdrejtues i delegacionit do ta kthej transparencën në Kuvend

Limaj: Si bashkëdrejtues i delegacionit do ta kthej transparencën në Kuvend

Pas miratimit të projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Fatmir Limaj, i cili është tash njëri nga personat që do t’i prijnë këtij dialogu, u zotua se do ta kthejnë transparencën në Kuvendin e Kosovës.

Limaj tha se do të bashkëpunojnë me shoqëri civile, akademikë, e të tjerë, në mënyrë që të përmbyllet dialogu me Serbinë.

“U siguroj si bashkëdrejtues i këtij delegacioni shtetëror, që do ta kthejmë transparencën, do të jemi në dispozicion të Parlamentit, do të jemi në dispozicion të opinionit publik, do të afrojmë ngat vetit kokat e mençura të nevojshme të vendit tonë, intelektualë, akademikë, shoqëri civile, burra e gra që mund të ndihmojnë në këtë proces të rëndësishëm, dhe kështu së bashku, një proces transparent, të domosdoshëm dhe të rëndësishëm për vendin tonë, të përmbyllim njëherë e mirë çështjet e hapur me Serbinë”, tha ai.

Ai përsëriti se objektivë kryesore e kanë njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, anëtarësimin në OKB dhe integrimin e institucioneve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar tha ai para gazetarëve.

“Delegacioni shtetëror shumë shpejt, besoj nga e hëna, do të fillojë punën menjëherë. Ne të hënën do të kemi takime me krerët e institucioneve, do t’i marrim dokumentacionet e gjithë atyre që janë biseduar deri tani. Do të ulemi si delegacion shtetëror, do ta bëjmë agjendën e punës, do t’i formojmë komisionet, ose temat që mendojmë që Kosova do t’i trajtojë në bisedimet e ardhshme”, tha ai.

Limaj tha se janë rreth 15 tema që duhet trajtuar në dialogun me Serbinë, ku përmendi çështjen e personave të pagjetur dhe atë të dëmshpërblimit të luftës.

Exit mobile version