Ballina Artikuj Liria e besimit nuk mbrohet vetë!

Liria e besimit nuk mbrohet vetë!

Dr. Arben Ramkaj

Fotografia e Hafiz Sabri Koçit, e risjellë në 36-vjetorin e rihapjes së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, më ktheu te nëntori i vitit 1990. Ajo pamje shënon më shumë se rihapjen e një xhamie: çastin kur qytetarët, pas dekadash ndalimi, rifituan të drejtën themelore për ta shprehur publikisht besimin. Në figurën e Hafiz Sabriut mishërohej vazhdimësia e një tradite që diktatura kishte kërkuar ta shkëpuste nga kujtesa kombëtare.

Nga ajo ditë më mbetet veçanërisht thirrja e tij: «Të dashur vllazën myslimanë, katolikë e ortodoksë, e mbi të gjitha vllazën shqiptarë». Fjalët i shqiptoi një njeri që kishte kaluar më shumë se njëzet vjet në burgjet komuniste, përfshirë Spaçin. Në një çast kur mund të fliste për dhimbjen personale, ai zgjodhi gjuhën e dinjitetit dhe të përgjegjësisë. Zoti e mëshiroftë! Hafiz Sabri Koçi mbetet babai i ringjalljes së Islamit në Shqipëri.

Rënia e Murit të Berlinit dhe shpërbërja e rendit komunist në Europën Lindore krijuan rrethanat politike të ndryshimit shqiptar. Megjithatë, rihapja e xhamive nuk erdhi si një vendim bujar i pushtetit. Nismën e morën qytetarët, shumë prej të cilëve e kishin ruajtur besimin në familje, në kujtesë dhe në rite të fshehta. Liria, pra, u rifitua me nismën e qytetarëve, përpara se të merrte njohjen e plotë institucionale.

Rifitimi i lirisë, megjithatë, nuk është i njëjtë me krijimin e kushteve për ta ushtruar atë në mënyrë të qëndrueshme. Tridhjetë e gjashtë vjet më pas, përkujtimi nuk mund të mbetet vetëm ceremonial; ai na fton të mendojmë se çfarë kemi ndërtuar mbi atë fitore morale dhe sa të përgatitur jemi për sfidat që mund të sjellë e ardhmja.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet së pari të kuptojmë gjerësinë e asaj që quajmë bashkësi myslimane. Ajo është një realitet njerëzor e shoqëror më i gjerë sesa një strukturë administrative: përfshin besimtarët, familjet dhe marrëdhëniet që formësojnë jetën e tyre fetare. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni historik i organizimit dhe përfaqësimit fetar, ndërsa medresetë, shoqatat, fondacionet, qendrat studimore dhe nismat filantropike janë forma të arsimit, veprimit qytetar dhe shërbimit, me përgjegjësi të dallueshme. Së bashku, ato i japin jetës së bashkësisë një shtrirje të gjerë shoqërore.

Kjo shtrirje është ndërtuar përmes një pune të gjatë. Për më shumë se tri dekada, rindërtimi i objekteve të kultit, organizimi i shërbesave dhe formimi i brezave të rinj kanë qenë arritje të pamohueshme, shpesh në kushte të kufizuara. Ato përbëjnë një themel mbi të cilin mund të zhvillohen më tej studimi, arsimi dhe nismat shoqërore që i shërbejnë bashkësisë myslimane dhe vendit.

Mbi këtë themel mund të zhvillohen institucione që u përgjigjen nevojave të përditshme të besimtarëve dhe shoqërisë. Një qendër kërkimore mund të studiojë ndryshimet demografike, nevojat arsimore, sfidat e familjes dhe pjesëmarrjen e të rinjve, duke i kthyer të dhënat në orientime të dobishme. Një institucion i arsimit të lartë mund të përgatisë imamë e studiues që zotërojnë njëherësh traditën teologjike dhe gjuhën e shoqërisë bashkëkohore. Në të njëjtin drejtim duhen parë administrimi i vakëfeve, shërbimet sociale, këshillimi dhe studimet juridike. Kështu, misioni fetar fiton mbështetje edhe përmes dijes, shërbimit dhe kujdesit ndaj njerëzve.

Ky mendim më ka shoqëruar prej kohësh dhe më sjell ndër mend një bisedë të vitit 2017. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti, u takova në Tiranë me Eduard Auerin, atëherë drejtues i Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm. Isha i ftuar prej tij, së bashku me përfaqësues të tri organizatave të shoqërisë civile. Kur më pyeti se cili model organizimi mund të shërbente si pikë reference për të ardhmen e bashkësisë myslimane shqiptare, përgjigjja ime ishte e drejtpërdrejtë: Bashkësia Islame e Bosnjë-Hercegovinës. Auerit iu duk interesante kjo përgjigje dhe biseda nuk u zgjat më tej mbi këtë temë. Për mua, modeli boshnjak mbetej një përvojë europiane që meritonte të studiohej, jo një skemë për t’u kopjuar.

Arsyeja gjendet në vetë historinë e atij organizimi. Modeli boshnjak nuk lindi vetëm nga nevoja për të administruar jetën fetare, por edhe nga përpjekja për të fituar autonomi përballë pushtetit politik. Në vitin 1882, gjatë administrimit austro-hungarez, u vendos një udhëheqje e veçantë fetare. Lëvizja për autonominë fetare, arsimore dhe të vakëfeve, e organizuar veçanërisht nga fundi i shekullit XIX, kulmoi me Statutin e vitit 1909. Pavarësisht ndërprerjeve, shtetëzimeve dhe traumave historike, kjo traditë krijoi hapësirë për zhvillime të mëtejshme, ndër to themelimin e Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë më 1977.

Natyrisht, historia e Bosnjës nuk është historia e Shqipërisë. Te ne, regjimi komunist arriti deri te ndalimi i plotë i jetës publike fetare, duke këputur vazhdimësinë e institucioneve dhe të formimit. Por pikërisht kjo e bën krahasimin të vlefshëm: jo sepse ofron një model të gatshëm, por sepse dëshmon se autonomia nuk është formulë abstrakte. Ajo fitohet me përpjekje, merr trajtë juridike dhe ruhet përmes një tradite institucionale që vazhdon përtej brezave dhe rrethanave politike.

Përtej dallimeve historike, shqiptarët dhe boshnjakët ndajnë një përkatësi që meriton të theksohet. Në një metaforë kulturore, ata mund të quhen «romakët myslimanë» autoktonë të Europës. Përmendja e Er-Rum-it në Kuran i përket botës romake lindore të kohës; metafora këtu nuk është pretendim për prejardhje, por një mënyrë për të theksuar përkatësinë tonë të hershme në historinë e kontinentit. Islami i shqiptarëve dhe i boshnjakëve nuk mund të trajtohet si një prani kalimtare apo e huaj për historinë europiane. Ai është pjesë e përvojës së saj historike.

Kjo përkatësi historike mbart edhe një përgjegjësi të sotme. Beteja për lirinë e besimit zhvillohet kudo, edhe në shoqëritë me demokraci dhe institucione të konsoliduara, sepse njohja e një të drejte nuk e përfundon përpjekjen për ta mbrojtur dhe ushtruar atë. Për shqiptarët dhe boshnjakët myslimanë, Europa është njëkohësisht hapësira ku ushtrohet besimi dhe ku të drejtat mbrohen e zhvillohen me mjetet që njeh rendi demokratik: argumentin publik, kërkimin shkencor, përfaqësimin, dialogun institucional dhe kontrollin gjyqësor. Nuk bëhet fjalë për privilegje. Liria nuk mbaron te e drejta për të hyrë në xhami; ajo përfshin mundësinë për të arsimuar brezat, për të organizuar jetën fetare në mënyrë autonome dhe për të kërkuar trajtim të barabartë përpara ligjit.

Edhe përvoja europiane dëshmon se mbrojtja e kësaj lirie kërkon vëmendje institucionale. Italia ka një shërbim për marrëdhëniet me bashkësitë fetare pranë qeverisë, Kroacia një komision të posaçëm, ndërsa OSBE-ja mbështetet te ekspertë të lirisë së fesë ose besimit. Në nivel ndërkombëtar vepron edhe një rrjet parlamentarësh të angazhuar për këtë të drejtë. Shqipëria ka Komitetin Shtetëror për Kultet. Ekzistenca e këtyre mekanizmave tregon se liria e besimit mbetet një çështje e përhershme e jetës demokratike, edhe aty ku garancitë e saj kanë histori të gjatë.

Në këtë këndvështrim duhen parë edhe dy çështje konkrete në Shqipëri, të cilave shpesh u kushtojmë më pak vëmendje sesa meritojnë. E para është kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për ligjin nr. 64/2025 «Për barazinë gjinore», ku ndër kërkuesit është edhe Forumi Musliman i Shqipërisë. Përtej qëndrimeve mbi ligjin, rasti na kujton rëndësinë e mjeteve juridike për të diskutuar dhe mbrojtur të drejtat. E dyta lidhet me njohjen dhe njësimin e diplomave teologjike, një çështje që prek mundësinë e trajtimit të barabartë të kualifikimeve dhe që meriton një debat serioz ligjor. Në pamje të parë, këto mund të duken dy tema të ndryshme, por në thelb të dyja na kthejnë te e njëjta pyetje: si ushtrohet realisht liria e besimit në jetën e përditshme?

Këto çështje më kthejnë te fotografia e Hafiz Sabri Koçit dhe te pyetja që ajo na drejton: çfarë do të bëjmë me lirinë për të cilën ai dhe bashkëkohësit e tij paguan një çmim aq të rëndë? Brezi i tyre kishte për detyrë të hapte dyert e mbyllura të xhamive. Brezi ynë ka përgjegjësinë të zhvillojë dijen, autonominë, sigurinë juridike dhe institucionet që do t’i mbajnë këto dyer të hapura edhe për ata që vijnë pas nesh.

Liria e besimit u rifitua me qëndresë; ajo do të ruhet vetëm me përgjegjësi. /tesheshi

Dr. Arben Ramkaj

Exit mobile version