Sonte në mbrëmje në stadiumin e Prishtinës ‘Fadil Vokrri’ do të zhvillohet ndeshja e bamirësisë ‘Loja e Yjeve’.
Para kësaj përballje yjesh në një konferencë për media është bërë publike edhe formacioni zyrtar i të dyja skuadrave ku do të marrin pjesë edhe yjet kosovarë të futbollit dhe muzikës, njofton Klan Kosova.
Përveç futbollistëve, pjesë e ndeshjes do të jenë edhe shumë këngëtar e fytyra të njohura publike, MC Kresha dhe Ledri Vula janë dy nga emrat e botës së muzikës që do të marrin pjesë në këtë ndeshje .
Skuadra e udhëhequr nga Milot Rashica do të ketë në vete ish-futbollistë si Shefki Kuqi pastaj futbollistët si Armend Dallku , Ermir Lenjani e të tjerë, boksierin Haxhi Krasniqi por edhe këngëtarë e figura tjera të njohura nga skena publike.
Skuadra e Rashicës do të udhëhiqet nga Ismet Munishi.
Ndërsa skuadra e futbollistit Granit Xhaka përbëhet nga lojtarët Mërgim Mavraj, Debatik Curri si dhe babai i yllit të muzikës botërore, Dua Lipa, Dukagjini.
Kjo skuadër do të menaxhohet nga trajneri Afrim Toverlani.
Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:00 ndërsa mjetet e mbledhura nga pagesa e hyrjes do të dedikohen për ndihmën e 10 familjeve në nevojë.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti lojtarëve u ndau çmimin “Çelësi i Qytetit”, për promovimi që këta po i bëjnë qytetit të Prishtinës në botë.