Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit është “i paqëndrueshëm dhe i brishtë” dhe ka bërë thirrje për rifillimin e negociatave diplomatike për programin bërthamor të Iranit.
“Duhet të rifillojmë punën diplomatike dhe teknike për çështjen bërthamore,” tha Macron, duke theksuar se “në javët në vijim, do të na duhet të marrim një vendim për këtë çështje.”
Vendet evropiane po përpiqen të hapin një rrugë diplomatike për të arritur një marrëveshje që kufizon aktivitetin e pasurimit të uraniumit nga Irani, përpara tetorit 2025, kur skadon afati i sanksioneve të Kombeve të Bashkuara të vendosura në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Teherani ka mohuar vazhdimisht se po synon armë bërthamore, duke këmbëngulur se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore. /mesazhi
