Ballina Lajmet Kosovë Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit do të mbahet në Xhaminë...

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e enjte, më 19 mars 2026.

Dita e parë e festës së Fitër Bajramit është të premten, më 20 mars 2026.

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

“Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri. Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste”, thuhet nw njoftimin e BIK-ut.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka uruar festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë.

Exit mobile version