Prokuroria Publike Themelore e Shkupit ka ngritur kallëzim penal kundër ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, Spasovski dyshohet se ka mundësuar përfitim kundërligjor prej 5.565.927 denarësh për një qendër kontrolli teknik në Komunën e Sarajit gjatë vitit 2021, kur ai ushtronte detyrën e ministrit.
Sipas kallëzimit, Spasovski nuk ka marrë vendimin për heqjen e autorizimit për kontroll teknik brenda afatit ligjor, pavarësisht se një propozim ishte dorëzuar nga njësia kompetente për çështje civile.
“Personi, megjithëse e dinte se afati për miratimin e vendimit për revokimin e autorizimit ishte jo më vonë se 15 ditë nga data e paraqitjes së lëndës, ai nuk e kreu detyrën e tij zyrtare në përputhje me nenin 65, paragrafi 3 i Ligjit për automjetet dhe nenin 5 të rregullores për dhënien dhe heqjen e autorizimeve për kontroll teknik të automjeteve dhe për kategoritë e automjeteve për të cilat lëshohet autorizimi për kontroll teknik të automjeteve”, thuhet në njoftim.
Kallëzimi penal bazohet në nenin 353, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar si dhe shkeljet e Ligjit për automjetet dhe rregullores për dhënien dhe heqjen e autorizimeve për kontroll teknik të automjeteve.
