Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Maqedonia e Veriut ul TVSH-në e karburantit për të parandaluar rritjen e...

Maqedonia e Veriut ul TVSH-në e karburantit për të parandaluar rritjen e çmimeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur mbledhje për çmimet e karburanteve dhe ka marrë dy vendime kryesore: uljen e TVSH-së për derivatet e naftës dhe lirimin e sasive të mazutit nga rezervat shtetërore, me qëllim të parandalimit të rritjes së çmimeve të produkteve dhe të energjisë elektrike, transmeton Anadolu.

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se, si pjesë e masave për menaxhimin e situatës, është shpallur edhe gjendje krize në gjithë territorin e vendit, në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë më shpejt dhe më efektivisht.

Sipas vendimit të Qeverisë, duke filluar nga mesnata e së hënës, TVSH-ja për derivatet e naftës do të ulet nga 18 në 10 për qind për një periudhë dyjavore. Kjo pritet të sjellë ulje të çmimit të karburanteve prej rreth 6 deri në 7 denarë për litër.

Mickoski theksoi se qeveria ka përgatitur disa skenarë në rast se kriza përkeqësohet, duke paralajmëruar se pa ndërhyrjen e qeverisë do të kishte pasur rritje të re të çmimit të dizelit dhe benzinës. Ai shtoi se pret që Komisioni Rregullator të marrë parasysh këtë vendim dhe të mos rrisë çmimet.

Kryeministri nënvizoi se qëllimi i masave është të mbrohen qytetarët dhe bizneset nga presioni i rritjes së çmimeve, duke theksuar se stabilizimi i çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt edhe në çmimet e ushqimit, transportit dhe shërbimeve.

“Në kohë krize, askush nuk ka të drejtë të ndërtojë fitim mbi kurrizin e qytetarëve”, tha Mickoski, duke paralajmëruar kontrolle të shtuara në treg dhe masa ndaj çdo abuzimi me çmimet.

Masat vijnë në një kohë krize globale si pasojë e luftës në Iran që filloi pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt. Teherani është kundërpërgjigjur me sulme në rajon dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kritike për transportin e lëndëve djegëse, duke ndikuar negativisht në tregjet globale.

Exit mobile version