Ministrja e Brendshme britanike Shabana Mahmood tha se ka miratuar një kërkesë të policisë për të ndaluar marshimin e ardhshëm të Ditës së Al-Kudsit, duke shënuar ndalimin e parë të këtij marshimi proteste në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2012, transmeton Anadolu.
“Jam e bindur se kjo është e nevojshme për të parandaluar çrregullime serioze publike, për shkak të përmasave të protestës dhe kundërprotestave të shumta, në kontekstin e konfliktit në vazhdim në Lindjen e Mesme”, shkroi Mahmood në rrjetin social amerikan X.
Ajo theksoi se vendimi i saj erdhi pas kërkesës së Policisë Metropolitane për të ndaluar marshimin e Al-Kudsit.
“Pres që forca e plotë e ligjit të zbatohet ndaj kujtdo që përhap urrejtje dhe përçarje në vend që të ushtrojë të drejtën e tij për protestë paqësore”, shtoi ministrja e Brendshme.
Në një deklaratë të veçantë, Policia Metropolitane tha se ndalimi u jep atyre fuqinë për të ndaluar marshimin e Al-Kudsit të planifikuar për të dielën, si dhe çdo kundërproteste të lidhur me të.
“Kjo do të jetë në fuqi nga ora 16:00 e së mërkurës, 11 mars, dhe do të zgjasë një muaj”, tha ndihmëskomisari Ade Adelekan, përgjegjës për rendin publik në këtë forcë.
Ai theksoi se pragu për të ndaluar një protestë është i lartë dhe policia nuk e mori këtë vendim lehtë, pasi “kjo është hera e parë që e përdorim këtë kompetencë që nga viti 2012”.
“Vendimi për ta ndaluar këtë vit bazohet vetëm në një vlerësim të rrezikut për këtë protestë specifike dhe kundërprotestat”, thuhet në deklaratë.
Adelekan shtoi se policia ka qenë në kontakt me përfaqësues të komuniteteve hebreje dhe myslimane, si dhe me iranianët në Londër, duke theksuar se ky komunikim do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës.
