Franca ka regjistruar rreth 1 mijë viktima si pasojë e valës së fortë të të nxehtit që ka përfshirë Evropën, njoftoi të dielën Agjencia Kombëtare e Shëndetit Publik. Autoritetet paralajmërojnë se numri real i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.
Sipas të dhënave paraprake, shumica e viktimave janë persona të moshuar. Agjencia shëndetësore theksoi se numri pritet të rritet, pasi ende po mblidhen të dhëna për vdekjet e regjistruara në shtëpitë e kujdesit dhe në banesat private.
Evropa po përballet me një nga valët më intensive të të nxehtit të viteve të fundit.
Temperaturat rekord kanë shkaktuar dhjetëra viktima në vende të ndryshme, kanë dëmtuar infrastrukturën, kanë ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike dhe kanë vënë nën presion sistemet shëndetësore.
Sipas shkencëtarëve, vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, është më e rënda e regjistruar ndonjëherë në Evropë. Ata paralajmërojnë se kontinenti po ngrohet më shpejt se mesatarja globale për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ndërsa vala e të nxehtit po zhvendoset gradualisht drejt lindjes së Evropës, shërbimi meteorologjik francez njoftoi se temperaturat kanë rënë në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, disa zona në verilindje të Francës vazhdojnë të mbeten nën paralajmërim për temperatura ekstreme.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephanie Rist, deklaroi për gazetën “La Tribune” se pasojat e valës së të nxehtit mund të vazhdojnë të ndihen edhe deri në 10 ditë pasi temperaturat të kenë rënë.
“Ky episod nuk ka përfunduar ende”, tha ajo për televizionin BFM.
Agjencia e Shëndetit Publik bëri të ditur se pjesa më e madhe e viktimave janë persona mbi moshën 65-vjeçare, megjithatë efektet e temperaturave ekstreme kanë prekur njerëz të të gjitha grupmoshave.
