Më shumë se 150 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi një anije me migrantë që po shkonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës u përmbys më herët gjatë kësaj jave, transmeton Anadolu.
“Ndërsa ne festojmë Krishtlindjet, qindra familje janë në zi”, tha në rrjetet sociale Helena Maleno Garzon, drejtuese e OJQ-së “Caminando Fronteras”.
Ajo vlerësoi se të paktën 169 persona kanë vdekur në përmbytjen pranë bregdetit të Senegalit.
E përditshmja senegaleze “Le Soleil” raportoi se janë identifikuar 30 të mbijetuar, megjithëse në varkë ndodheshin rreth 200 persona. Dymbëdhjetë persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa disa prej viktimave janë identifikuar nga të afërmit, shtoi ajo.
Mjeti lundrues besohet se është nisur nga Diamniadio, në Ishujt Saloum, më 22 dhjetor.
Le Soleil raportoi se të dy motorët e anijes dështuan, gjë që e detyroi kapitenin të synonte zbarkimin në plazhin më të afërt. Ai më pas thirri një varkë më të vogël për t’u larguar, ndërsa disa pasagjerë tentuan ta ndiqnin. Përplasjet në ujë çuan në mbytje të shumta.
Autoritetet senegaleze kanë hapur një hetim për këtë tragjedi, shtoi gazeta.
Rruga e migracionit drejt Ishujve Kanarie konsiderohet një nga më të rrezikshmet në botë. Në vitin 2024, rreth 9.757 persona vlerësohet se kanë humbur jetën duke tentuar këtë udhëtim, sipas “Walking Borders”.
Ministria e Brendshme e Spanjës ka raportuar një rënie të ndjeshme të migracionit këtë vit krahasuar me nivelet rekord të vitit 2024. Deri tani këtë vit, ministria ka regjistruar 17.555 mbërritje përmes detit në Ishujt Kanarie, krahasuar me 43.737 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
