Mjekët pa Kufij (MSF) paralajmërojnë se dhjetëra mijëra banorë të Gazës kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor, ndërsa qindra kanë vdekur duke pritur. Zyrtari i MSF-së, Hani Isleem, tha se vendet që kanë pranuar pacientë deri tani janë “vetëm një pikë në oqean”.
Sipas OBSH-së, mbi 8.000 pacientë janë evakuuar që nga fillimi i luftës izraelite pas 7 tetorit 2023. Por mbi 16.500 persona ende kanë nevojë për trajtim jashtë Gazës, dhe MSF vlerëson se shifra reale mund të jetë 3–4 herë më e lartë.
Deri tani, rreth 30 vende kanë pranuar pacientë, por vetëm disa – si Egjipti dhe Emiratet – kanë marrë numra më të mëdhenj. Nga vendet europiane, Italia ka pranuar mbi 200 pacientë, ndërsa Franca dhe Gjermania asnjë.
Evakuimet po ngadalësohen. Përpara majit 2024, rreth 1.500 pacientë largoheshin çdo muaj. Por pasi Izraeli mbylli pikë-kalimin Rafah, numri ka rënë në rreth 70. Edhe armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA më 10 tetor nuk e ka përshpejtuar procesin.
Ndërkohë, Izraeli ka ulur ndjeshëm refuzimet e kërkesave për evakuim – nga 90% më parë në rreth 5% – por MSF thotë se çdo ndalim është i papranueshëm.
Isleem kritikoi edhe procedurat e ngadalta të vendeve pritëse, duke thënë se shumë shtete po vendosin kritere selektive, duke pranuar kryesisht vetëm fëmijë dhe duke lënë mënjanë të rriturit, të cilët përbëjnë 75% të pacientëve në pritje.
Ai i bëri thirrje vendeve që të “ndalin listat e përzgjedhjes” dhe të fokusohen vetëm te shpëtimi i jetëve. /mesazhi
