Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mbi 200 të vdekur nga shembja e një miniere në lindje të...

Mbi 200 të vdekur nga shembja e një miniere në lindje të Kongos

Më shumë se 200 persona raportohet se kanë humbur jetën pas shembjes së një miniere koltani në Rubaya, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar lokal për agjencinë Reuters, ndërsa bilanci i saktë i viktimave mbetet ende i paqartë.

Miniera ndodhet rreth 60 kilometra në veriperëndim të qytetit Goma, kryeqendër e provincës Kivu i Veriut. Ajo u shemb të mërkurën, në kulmin e sezonit të shirave. Sipas autoriteteve lokale, toka e lagur dhe e paqëndrueshme ka shkaktuar rrëshqitjen, në momentin kur brenda ndodheshin minatorë, gra dhe fëmijë.

Burime zyrtare thanë se disa persona janë shpëtuar në momentet e fundit, por shumë prej tyre kanë pësuar plagë të rënda. Rreth 20 të plagosur po trajtohen në qendrat shëndetësore të zonës, ndërsa dyshohet se ende ka persona të bllokuar nën dhe.

Miniera e Rubayas prodhon rreth 15 për qind të koltanit botëror, mineral që përdoret në prodhimin e pajisjeve elektronike të avancuara, përfshirë telefonat mobilë, kompjuterët dhe komponentët e industrisë ajrore. Minatorët lokalë punojnë në kushte të vështira, duke gërmuar manualisht për të ardhura shumë të ulëta ditore.

Që nga viti 2024, zona e minierës kontrollohet nga grupi rebel M23, i cili mbështetet nga Ruanda, sipas akuzave të Kombeve të Bashkuara. OKB-ja ka deklaruar se rebelët shfrytëzojnë burimet minerare për të financuar aktivitetet e tyre, akuza që janë mohuar nga autoritetet ruandeze.

Pavarësisht pasurive të mëdha natyrore, mbi 70 për qind e popullsisë së Republikës Demokratike të Kongos jeton në varfëri ekstreme, me më pak se 2.15 dollarë në ditë. /mesazhi

Exit mobile version