Më shumë se 30 palestinezë u vranë herët të mërkurën nga bombardimet artilerike, sulmet ajrore dhe detare në të gjithë Rripin e Gazës, njoftuan burimet mjekësore dhe lokale, transmeton Anadolu.
Burimet i thanë agjencisë palestineze të lajmeve Wafa se banorët u vranë pasi disa shtëpi u vunë në shënjestër në veri të Rripit të Gazës dhe të paktën dy të tjerë u vranë në një bombardim që pati në objektiv një furrë buke në kampin Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Burimet treguan se furra e bukës siguron bukë për njerëzit e kampit dhe për të zhvendosurit nga zonat veriore të Rripit të Gazës.
Ata shtuan se tre persona u vranë, duke përfshirë një fëmijë, në bombardimin që kishte në objektiv një apartament banimi në Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës.
Bombardimet intensive të artilerisë, sulmet ajrore dhe detare synuan veriun e Gazës, veçanërisht zonën Jabalia si dhe kampin Nuseirat, lagjen Yarmouk në pjesën qendrore të Gazës dhe një zonë në lagjen Al-Zaytoun afër Spitalit Baptist Al-Ahli, i cili u bombardua nga Izraeli, duke shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur.
Bombardimet synuan gjithashtu shtëpitë e civilëve në zonat në jug të Rripit të Gazës, Rafah dhe Khan Yunis, duke shkaktuar disa viktima.