Më shumë se 50,000 pjesëtarë të ushtrisë së Izraelit posedojnë të paktën një shtetësi të huaj, përveç asaj izraelite, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të shtunën nga e përditshmja Yedioth Ahronoth.
Sipas gazetës, informacioni u bë publik pas një kërkese për informacion të paraqitur nga organizata për transparencë Hatzlacha.
Të dhënat e ushtrisë tregojnë se gjithsej 50,632 ushtarë kanë shtetësi të huaj krahas asaj izraelite. Prej tyre, 12,135 mbajnë shtetësi të SHBA-së duke përbërë grupin më të madh. Pasojnë 6,127 ushtarë me shtetësi të Francës dhe mbi 5,000 me shtetësi të Rusisë.
Po ashtu, mbi 3,000 ushtarë kanë shtetësi gjermane dhe një numër i ngjashëm shtetësi ukrainase. Më shumë se nga 1,000 ushtarë posedojnë shtetësi britanike, rumune, polake, etiopiane dhe kanadeze, ndërsa pjesa tjetër janë të shpërndarë në shtete të tjera.
Sipas raportit, 4,440 ushtarë mbajnë dy shtetësi të huaja përveç asaj izraelite, ndërsa 162 ushtarë kanë tre shtetësi të huaja.
Kërkesa për publikimin e këtyre të dhënave ishte dorëzuar rreth një vit më parë, në mars 2025, dhe përfaqëson, sipas raportit, ndarjen e parë të detajuar publike të shtetësive të huaja mes personelit ushtarak izraelit. Ushtria nuk sqaroi nëse shifrat përfshijnë vetëm ushtarë aktivë, rezervistë apo të dyja kategoritë.
Sipas vlerësimeve të mediave izraelite, ushtria ka rreth 170,000 ushtarë aktivë dhe rreth 400,000 deri në 460,000 rezervistë të regjistruar. /mesazhi
