Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mbi 500 kolonë të paligjshëm izraelitë bastisin Xhaminë Al-Aksa

Mbi 500 kolonë të paligjshëm izraelitë bastisin Xhaminë Al-Aksa

Më shumë se 500 kolonë të paligjshëm izraelitë hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar sot për të festuar festën e Pashkës hebraike (Pesach), raporton Anadolu.

“Më shumë se 500 kolonë bastisën Al-Aksanë nga Porta Mugharbah dhe bënë provokime dhe rituale talmudike në oborret e saj”, tha në një deklaratë Autoriteti i Vakëfeve Islame të Kudsit.

Autoriteti shtoi se inkursionet e kolonëve u kryen nën mbrojtjen e policisë, e cila ashpërsoi masat ushtarake në portat e qytetit të vjetër dhe Xhamisë Al-Aksa.

Që nga dita e parë e festës, e cila filloi të hënën në mbrëmje dhe zgjat një javë, qindra kolonë të paligjshëm kanë bastisur çdo ditë kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nën masa të rrepta policore, duke shkaktuar tensione të rënda në pjesë të ndryshme të qytetit të vjetër të Kudsit.

Të enjten, rreth 1.700 kolonë të paligjshëm izraelitë hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në grupe për të shënuar festën, tha Autoriteti i Vakëfeve.

Grupet ekstremiste izraelite të krahut të djathtë kanë bërë thirrje më parë për inkursione të gjera në xhami me rastin e Pashkës hebraike.

Palestinezët akuzojnë Izraelin për marrjen e masave të shpejta për të judaizuar Kudsin, duke përfshirë Xhaminë Al-Aksa, dhe për të fshirë identitetin e tij arab dhe islam.

Pashka, e cila përkujton eksodin e izraelitëve nga Egjipti gjatë kohës së profetit Musa, konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar hebre.

Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët e paligjshëm të hyjnë në kompleks pothuajse çdo ditë, me përjashtim të të premteve dhe të shtunave.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Exit mobile version