Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Mbi 730 mijë njerëz në veri të Gazës kanë mungesë të shërbimeve...

“Mbi 730 mijë njerëz në veri të Gazës kanë mungesë të shërbimeve shëndetësore”

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se mbi 730 mijë njerëz që jetojnë në veri të Rripit të Gazës nën pushtimin dhe bllokadën izraelite, janë të privuar nga shërbimet shëndetësore, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qudra ka thënë se “Shteti pushtues Izraeli ka shkatërruar qëllimisht sistemin shëndetësor në qytetin e Gazës dhe në rajonet në veri të Gazës”.

“Në qytetin e Gazës dhe në rajonet në veri të Gazës mbi 730 mijë njerëz janë të privuar nga shërbimet shëndetësore”, deklaroi Al-Qudra i cili shkatërrimin e spitalit Al-Shifa në Gaza nga ushtria izraelite e cilësoi si një goditje shkatërruese për sistemin e kujdesit shëndetësor.

Ai bëri thirrje për krijimin e spitaleve fushore dhe të ekipeve të ndihmës. “Për të plotësuar nevojat e popullatës në Gaza dhe në rajonet e saj veriore, ka nevojë për spitale fushore me kapacitet 200 shtretër që përfshijnë salla operacioni, kujdes intensiv, laborator dhe shërbime diagnostikuese”, tha Al-Qudra.

“Anëtarët e personelit shëndetësor të cilët përbënin shtyllën kurrizore të shërbimeve mjekësore janë vrarë. Pushtuesit kryejnë masakra brutale në mënyrë të qëllimshme dhe ekzekutojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë pacientët dhe personelin shëndetësor në spitalin Al-Shifa dhe në spitalet në veri të Gazës”, tha Al-Qudra.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, janë vrarë 33.970 palestinezë si dhe janë plagosur 76.770 të tjerë. Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata.

Exit mobile version