Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila do të zhvillohet duke filluar nga ora 10:00.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në rend dite janë disa pika me rëndësi, përfshirë shqyrtimin e Propozim-vendimit për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve të saj, të propozuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Gjithashtu, kabineti qeveritar do të shqyrtojë Propozim-vendimin për aprovimin e ekstraktit të procesverbalit dhe transkriptit të mbledhjes së 277-të, si dhe ekstraktet e procesverbaleve të mbledhjeve 275 dhe 276 elektronike/korresponduese të Qeverisë.
Në rend dite janë edhe disa propozim-vendime preliminare për shpronësim për interes publik, të cilat lidhen me realizimin e projekteve infrastrukturore. Ndër to përfshihen projekti i linjës ajrore 110 kV “Parku me Erë – Zatriq”, shpronësimi i pronave ish-shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Mobileve “Përparimi” dhe pronave private për nevoja të institucioneve shtetërore, si dhe projekti për ndërtimin e kyçjes së Vitisë në Autoudhën “Arbër Xhaferi”.
Po ashtu, Qeveria do të shqyrtojë kërkesa për interes publik për projektin e ndërtimit të rrugës tranzit në Klinë, nga N9 deri në R-104 Klinë–Gurakoc, si dhe për zgjerimin e Rrugës Nacionale M25 Prishtinë–Podujevë.
Në fund, do të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi për aprovimin e raportit të tretë të punës së Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve Shtetërore të Informacionit dhe Komunikimit me rëndësi strategjike, i propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
