Një vezë e rrallë Fabergé prej kristali e diamanti, e prodhuar për familjen e carit rus para se të rrëzohej nga revolucioni, po del në ankand dhe vlerësohet më shumë se 26 milionë dollarë.

Shtëpia Christie’s e ankandeve thotë se Veza e Dimrit është një nga shtatë vezët më të kushtueshme në duart e koleksionistëve. Ajo do të shitet në Londër të martën.

Veza me përmasa 10 centimetra është prodhuar nga një gur kristali i gdhendur hollë, i mbuluar me motive si flokë dëbore të zbukuruara me platin dhe 4,500 diamantë të vegjël. Kur hapet, shfaqet një shportë e vogël me lule kuarci që simbolizojnë pranverën.

Veza e Dimrit është një shembull arti e krijimtarie, “Mona Liza” e artit dekorativ”, e quajti Margo Oganesian nga shtëpia e ankandeve.

Njëra nga dy vezët e krijuara nga Alma Phil, u bë me porosi të carit Nikolas II për nënën e tij, Maria Feodorovna, si dhuratë Pashkësh në 1913. Veza tjetër e Phil është në pronësinë e familjes mbretërore britanike.

Peter Carl Fabergé dhe kompania e tij krijuan më shumë se 50 vezë për familjen perandorake ruse në vitet 1885-1917, secila unike dhe me një surprizë brenda tyre. Tradita e ka zanafillën te cari Aleksandri III që çdo Pashkë i jepte nga një vezë të shoqes. Pasuesi i tij, Nikolas II ua jepte nënës dhe bashkëshortes.

Familja Romanov e sundoi Rusinë për 300 vjet para se të rrëzohej nga revolucioni i vitit 1917. Nikolas dhe familja e tij u ekzekutuan në 1918.

E blerë për 450 paund nga një londinez në vitet 1920, veza kaloi nga një dorë në tjetrën. Për dy dekada mendohej e humbur derisa u shit në vitin 1994 për 7 milionë franga zvicerane. Në vitin 2002 u shit sërish për 9.6 milionë dollarë.

Tani pritet të tejkalojë rekordin e 18.5 milionë dollarëve të paguara në vitin 2017 për një tjetër vezë Fabergé që ishte e krijuar për familjen Rothschild.

Rreth 43 vezë perandorake Fabergé kanë mbijetuar dhe pjesa më e madhe gjenden në muze.