Ballina Artikuj Me shami dhe shofere autobusi, shqiptarja që habiti italianët

Me shami dhe shofere autobusi, shqiptarja që habiti italianët

Në ditën e dytë të vitit, Corriere della Sera i ka kushtuar një shkrim të gjatë një gruaje shqiptare 37-vjeçe me origjinë nga qyteti i Kavajës, Bukurie Voka që tashmë punon si shofere e një autobusi në Itali.

Ajo që e bëri një simbol të emancipimit dhe integrimit të femrës, sidoqoftë, është shamia që mban.

“Ajo që bëj për mua është shumë më tepër sesa thjesht një punë sepse çdo ditë kam sigurinë të jem e dobishme për njerëzit” shprehet Bukurie. E divorcuar dhe me një vajzë, ajo arriti në Itali 13 vjet më parë, duke ndaluar në Bolonjë përpara se të vendosej përgjithmonë në Merano rreth një dekadë më parë.

Pastaj, duke filluar nga gushti 2019, ishte pika e kthesës: ajo u punësua nga Sasa si shofere. “Para se të merrja autobusët, në fakt, unë punoja në një depo frutash në Gargazzone”. Një trajektore njerëzore, ajo e Bukuries, e cila kapërcen pengesat dogmatike dhe klishetë arkaike.

Si myslimane, si ndiheni që jeni bërë simbol i emancipimit dhe integrimit femëror?Jam e lumtur nëse njerëzit më shohin si një simbol pozitiv. Sidomos nëse historia ime mund t’u japë shumë grave që përpiqen të arrijnë qëllimet e tyre pa u kushtëzuar aspak. Duke thënë këtë, duhet të them se gjatë shumë viteve që kam jetuar këtu, unë kurrë nuk jam ndjerë e përjashtuar ose viktimë e racizmit. Në Sasa, pra, kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë.

Si lindi kjo zgjedhje për t’u bërë shofere autobusi?

Ishin dy momente vendimtare. E para ka ndodhur kur isha duke punuar në Gargazzone. Atje, shpesh mbaroja vonë dhe nëse nuk mund ta kapja autobusin në kohë, për mua do të thoshte të prisja një orë në të ftohtë ose në errësirë. Një ditë rastësisht u vonova, por shoferi, duke më parë duke vrapuar, ishte aq i mirë sa më priti. Një gjest që disa mund ta konsiderojnë banal, por që nuk e kam harruar kurrë. Arsyeja e dytë është takimi me shoqen time Maria, e cila ishte shofere. Ajo vazhdonte të më thoshte provoje … provoje … derisa u binda vërtet.

Exit mobile version